28 Mars 2024

Gjatë vitit 2022 u parashkruan rastet e 28 të akuzuarve për korrupsion  

Prishtinë, 5 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD),  të hënën, në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, ka organizuar tryezë të rrumbullakët, ku është prezantuar raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës.

Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana, ka thënë se parashkrimi i rasteve të korrupsionit, por edhe lëndëve të natyrave të tjera, është një ndër shqetësimet kryesore të sistemit të drejtësisë tash e disa vite.

Tutje tha se kjo dukuri ka vazhduar edhe në vitin 2022 dhe ka rrezik potencial që të vazhdoj edhe gjatë vitit 2023. Sipas tij, faktorët të cilët kanë ndikuar në arritjen e parashkrimit janë mos procedimi i lëndëve gjyqësore brenda afateve të përcaktuara me ligj, shtyrja e seancave gjyqësore, numri i madh i lëndëve, ndërrimi i shpeshtë  i  trupeve gjykuese, mungesa e gjyqtarëve, si dhe mungesa e stafit administrativ. Po ashtu, deklaroi se faktor tjetër që po ndikon në arritjen e parashkrimit është është edhe kthimi i shpeshtë i rasteve në rigjykim, duke shtuar se ka shumë  raste që kthehen në rigjykim dhe afatet kur kthehen në rigjykim janë shumë të gjata.

Ai tha se vetëm gjatë vitit 2022 janë parashkruar rastet ndaj 28 të pandehurve të akuzuar për korrupsion. Këta 28 persona bëjnë pjesë në gjithsej 16 raste.

“Dëmi, sipas Prokurorisë, në këto raste fillon nga 5 euro deri në 5.4 milion euro. Nëse kalkulohet dëmi i pretenduar nga Prokuroria në këto raste, i bie se vetëm brenda vitit 2022 janë parashkruar rastet e korrupsionit, dëmi në të cilat kalon vlerën prej 6 milion eurove. Madje, kjo vlerë llogaritet të jetë vetëm për 11 raste të korrupsionit, pasi në pesë raste të tjera, Prokuroria nuk e ka përcaktuar dëmin në aktakuzë. Përjashtimisht tri rasteve, të gjitha aktakuzat e parashkruara gjatë vitit 2022 janë raste kur koha e kryerjes së veprës penale është viti 2012. Ndaj dy prej personave të akuzuar për korrupsion, rastet e të cilëve janë parashkruar, aktakuza ishte ngritur në vitin 2012, ndaj dy personave në vitin 2013, ndaj një personi në vitin 2014 derisa në shumicën e rasteve (ndaj 9 personave) aktakuza është ngritur në vitin 2015”, ka thënë ai.

Në fund, ai tha se përtej vitit 2022, problemi i parashkrimit të korrupsionit duket se do të jetë evident edhe në vitet pasuese.  Makshana tha se 10 të akuzuar në rastet e profilit të lartë të korrupsionit rrezikojnë të mbesin pa një vendim meritor, për faktin se rastet e tyre parashkruhen në tri vitet e ardhshme, 7 prej tyre gjatë vitit 2023.

“Dëmi i pretenduar nga Prokurori i Shtetit në këto raste është mbi 59 milion euro. Janë mbi 101 të akuzuar të tjerë për vepra penale të korrupsionit zyrtar, rastet e të cilëve parashkruhen brenda tri viteve të ardhshme”, ka thënë ai.

Vilard Bytyqi, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka thënë se në vitin 2022 në krahasim me vitet e kaluara ka pasur një rritje të mbikëqyrjes dhe të administrimit të këtyre rasteve nga ana e Këshillit Gjyqësor.

Ndërkaq, lidhur me rastet të cilat janë parashkruar të përmendura në raport, Bytyqi tha se nuk janë rezultat i vitit 2022, por të viteve të kaluara dhe shtoi se KGJK i ka marrë të gjitha veprimet e mundshme që çështjet e korrupsionit të trajtohen me prioritet të lartë.

Si  problematikë parashtroi edhe mungesën e resurseve humane, ku shtoi se ka pasur konkurse për gjyqtarë dhe staf mbështetës, por ka pasur probleme pasi që për bashkëpunëtorë profesional nuk janë buxhetuar pozitat në ligjin për buxhet.  

Bytyqi shtoi se tani për tani kanë arritur që të paktën një bashkëpunëtor profesional të jetë për dy gjyqtarë, si dhe tha se tani janë në procedurë të rekrutimit për bashkëpunëtorë të rinj profesional, përafërsisht 80 dhe sipas tij kjo do të jetë  një ndihmesë e jashtëzakonshme  për sistemin e drejtësisë.

Lidhur me mungesën e resurseve humane, ka folur edhe gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, Burim Ademi, për të cilën tha se është sfidë e vazhdueshme e sistemit gjyqësor. Ndërsa, tha se tre-katër muajt e fundit ka filluar të ndryshoj kjo problematikë pasi janë pranuar një numër i zyrtarëve ligjor dhe bashkëpunëtorëve profesional dhe se kjo është shpresë për vet gjyqtarët që do të ketë ndryshime rrënjësore.

Sipas Ademit,  ndryshimi i legjislacionit është njëri ndër faktorët që ndikon drejtpërdrejt në parashkrimin e rasteve penale, e që ka ndikuar edhe këtë vit.

“Një ndër faktorët kryesor që unë konsideroj se ka ekzistuar e që e ka prekur edhe viitn 2022 janë edhe ndryshimet e legjislacionit, këto raste që ne po i referohemi vitit 2022 janë kryesisht se janë kryer si vepra penale me kodet që kanë qenë në fuqi paraprakisht dhe ato afate kanë qenë më të shkurta në kontekst të parashkrimit”, tha ai.

Sipas tij, të dhënat e parashkrimit që rasteve në vitin 2022 janë shqetësuese, sidomos kur vërehet se ka shumë raste.

“Unë dakordohem me të gjeturat se padyshim që mbështetur në këto të dhëna nga raporti, rezultojnë se janë bërë disa analiza dhe kanë rezultuar këto të dhëna, sidoqoftë vërehet një fakt se ka edhe në vitin 2022 raste të parashkrimit që janë brenda sistemit gjyqësor. Duhet të konsiderohet  shqetësuese, prandaj ne e konsiderojmë shqetësuese jo vetëm një rast e sidomos kur vërehet se ka shumë raste të parashkrimit”, tha Ademi.

Sipas gjykatësit të Apelit, kjo gjë pastaj e pengon sistemin gjyqësor në kontekst të efikasitetit.

“Duhet të kemi parasysh se barra kryesore e menaxhimit të një çështje i takon gjykatës, por varet edhe nga palët prezente, që të mos ketë shtyrje të vazhdueshme të proceseve gjyqësore. Duhet t’i shikojmë faktorët real brenda dispozitave ligjore se a janë zbatuar maksimalisht ato dispozita ligjore që palët të mos lejojnë të keqpërdorin të drejtat e tyre duke shmangur vazhdimisht seancat gjyqësore dhe të arrijnë te parashkrimi”, deklaroi ai.

Blerim Kelmendi nga Agjencia  për Parandalimin e Korrupsionit (APK),  tha se nga informatat e marra janë parashkruar më së shumti rastet që kanë të bëjnë me kapitullin e korrupsionit dhe kundër detyrës zyrtare, e sidomos keqpërdorimi i detyrës apo autorizimeve.

Tek parashikimi i lëndëve, ai tha se kanë vërejtur se tek rastet e deklarimit të rremë ka vonesa në trajtim, ndërsa sipas tij, mosdeklarim i pasurisë trajtohet me shpejtë.

Avokati Yll Zekaj, ndër të tjera, ai tha se për këtë situatë, është përgjegjës vetëm sistemi gjyqësor, për shkak se në parashkrimin e rasteve ndërlidhet komplet një sistem për shkak të mosfunksionimit të një hallke që rezulton të kemi mosfunksionim të gjithë sistemit e si rezultat është gjithë ky numër i rasteve të parashkruara e gjithashtu të mosnxjerrjes së një vendimi përfundimtar për të akuzuarit nëse të njëjtit janë fajtorë.

Kurse, prokurorja nga radhët e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Fetije Bajrami tha se në këtë prokurori janë vetëm katër prokurorë dhe se është mirë që prokurorët në këtë prokurori të specializohen për raste të korrupsionit.

Prokurorja Bajrami deklaroi se krahas këtyre problemeve që ka hasur në lëndët e korrupsionit, janë edhe ato në lëndët e prokurimit, ku nuk kanë ekspertë të prokurimit.

Java Kundër Korrupsion organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve, ku pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.

Bashkangjitur në këtë komunikatë, gjeni edhe fotografitë nga tryeza e mbajtur, si dhe raportin me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)