Gjatë një operacioni policor sekuestrohen 33 vetura
Prishtinë 21 mars - Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësiti i Auto Krimeve i cili bashkëvepron në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Auto Krimet rajonale dhe Doganën e Kosovës, ka ndërmarr një operacion për kontrollimin e automjeteve.
Gjatë operacionit policor janë kontrolluar automjetet të cilat kanë qenë të eksponuara në shitje në tregun e automjeteve në Malishevë, operacion ky i cili ka rezultuar me sekuestrimin e tridhjetë e tri veturave.
"Prej tyre njëzet e shtatë nga veturat e sekuestruara dyshohet për ikje nga obligimet doganore dhe gjashtë prej tyre dyshohen si te falsifikuara, për të cilat është hapur rasti policor për hetime të mëtutjeshme", thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë këtij operacioni policor janë kontrolluar rreth dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë vetura të llojeve të ndryshme, deri tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
Në këtë operacion policor kanë asistuar edhe njësite tjera patrolluese policore dhe njësitet speciale.