Gjatë korrikut, gjendja civile ka lëshuar rreth nëntë mijë dokumente
Mitrovicë, 11 gusht - Sektori i Gjendjes Civile në Mitrovicë, vazhdon të bëjë punë të madhe në ofrimin e shërbimeve të qytetarëve.
Ndonëse muaji korrik dhe gusht janë të stërngarkuar, për shkak të bashkatdhetarëve tanë që vijnë për pushime në Kosovë dhe këtë kohë e shfrytëzojnë edhe për tu pajisur me dokumenteve të ndryshme, nuk ka palë e cila nuk mund të kryej punë brenda ditës në këtë sektor.
Shefi i sektorit, Afrim Voca, vlerëson se deri më tani punët kanë shkuar mirë, nuk ka pas ndonjë telashe, përkundër numrit të madh të qytetarëve që kanë kërkuar shërbime. Për dallim nga sektorët tjerë, në ofiqari puna fillon në orën 08:00 dhe mbaron në orën 19:00.
Sipas Vocës, vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, ky sektor ka lëshuar 8.916 dokumente të ndryshme, prej të cilave 6.018 kanë qenë ekstrakte të lindjes, 1.516 certifikata të lindjes, ndërkaq të tjera certifikata martese, vendbanimi etj.
Ne si qendër, por edhe zyret tona që i kemi në lokacione të ndryshme, kemi qenë të përgatitura për të pritur diasporën në ofrimin e shërbimeve dhe si rezultat I kësaj asnjë palë nuk është kthyer mbrapa gjatë ditës pa kryer punë, tha Voca.
Ndryshe, ky shërbim për punën dhe të arriturat e veta është vlerësuar edhe nga institucione qendrore dhe nga organizata ndërkombëtare, sipas të cilave Mitrovica mund të shërbej si shembull për komunat e tjera.