Gjashtë vite burgim, tre të miturve për grabitje
Prishtinë, 9 shkurt - Një Gjyqtare nga Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka shpallur Aktgjykim dënues ndaj tre të pandehurve të mitur, M. L, (1997), nga Komuna e Mitrovicës, B. P (1997), nga Komuna e Mitrovicës dhe M. P, (1997), nga Komuna e Mitrovicës, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës, pasi për të njëjtit është vërtetuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Grabitje nga neni 329, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPK-së.
Me këtë rast, të pandehurit të parë M. L, ju shqiptua dënimi me burg për të mitur në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, të pandehurit të dytë, B. P, po ashtu ju shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, si dhe dënim i njëjtë ju shqiptua edhe të pandehurit të tretë M. P, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve burgim për të mitur.
Është vërtetuar se të pandehurit në katër raste të ndryshme në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes me anë të përdorimit të forcës.
Në rastin e parë, në nëntor të vitit 2013 në një parking automjetesh në një qendër tregtare të Mitrovicës, me anë të përdorimit të forcës kanë marr çantën e të dëmtuarës M. A, në të cilën kishte 110 euro, një kartel banke, një telefon nokia dhe disa çelësa të shtëpisë. Më pas të pandehurit kishin tentuar tia këpusnin edhe varësen e arit nga fyti ku e kishte të vendosur e dëmtuara.
Në rastin e dytë, në muajin nëntor të vitit 2013 të pandehurit në bashkëkryerje e në marrëveshje paraprake, afër një sallon-ondulimi në Mitrovicë, me anë të forcës kanë marr çantën e dorës së të pandehurës H. G, në të cilën kishte 50 euro dhe një telefon të markës Samsung.
Në rastin e tretë, po ashtu në muajin nëntor 2013 në qendër të qytetit në Mitrovicë, po ashtu në bashkëkryerje e me anë të forcës kanë marr çantën e të dëmtuarës K. B, në të cilën kishte tre telefona celular të llojit smart-fon, një kulet në të cilën kishte 120 euro, një kartel banke dhe një letërnjoftim.
Në rastin e katërt, në muajin nëntor 2013 të pandehurit në bashkëkryerje e me përdorim të forcës, kanë marr çantën e të dëmtuarës Sh.A, në të cilën kishte 5 euro, dy kartela të bankës, ID të punës dhe një letërnjoftimin.
Ndryshe, sipas legjislacionit në fuqi, ndaj të pandehurve dënimi i lartcekur do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit.