Gjashtë muaj, 12 arrestime dhe 4 persona të gjykuar për korrupsion
Prishtinë, 1 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin gjashtëmujor nga monitorimi i shtypit ditor rreth raportimit për korrupsionin në nëntë gazeta ditore për periudhën prill-shtator 2011.
Në bazë të këtij raporti, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar gjithsej 271 artikuj. Muaji që më së shumti ka pasur raste të raportuara ka qenë muaji qershor, me gjithsej 96 artikuj, ndërsa muaji që më së paku ka pasur shkrime ka qenë muaji gusht, me gjithsej 17 artikuj.
Artikujt në tërësi që janë evidentuar në këtë raport përbëhen kryesisht nga arrestime, informacione, hetime, ngritje aktakuzash, etj që lidhen me korrupsionin.
Sipas raportit gjashtëmujor, Qeveria e Kosovës me 50 artikuj dhe komunat me 30 artikuj, janë dy kategoritë për të cilat janë paraqitur më së shumti shkrime që lidhen me dyshime për përfshirje në korrupsion. Zyrtarët publikë, ku përfshihen zyrtarë të institucioneve, madje edhe ministra, zënë vendin e tretë, me gjithsej 14 artikuj.
Sa i përket gazetave me më shumë artikuj për korrupsionin, gazeta Zëri prin me 68 artikuj, pason Koha Ditore me 59, Kosova Sot me 39, Express 36, Infopress 22, Lajm 19, Tribuna Shqiptare 14, Bota Sot 9 dhe Epoka e Re me 8 artikuj.
Ndërkohë, sa i përket reagimit të organeve kompetente për luftë kundër korrupsionit, vërehet një nivel i zbehtë në luftimin e kësaj dukurie. Përgjatë gjashtë muajve, janë ngritur aktakuza për 20 persona dhe këtë gjatë muajve qershor dhe korrik, por që me përjashtim të rastit të Komunës së Prizrenit, rastet tjera nuk kanë të bëjnë me zyrtarë të zgjedhur.
Nga ana tjetër, policia ka bërë arrestimin e vetëm 12 personave me dyshimin për keqpërdorime. Më së dobëti janë paraqitur gjykatat. Përgjatë kësaj periudhe, gjithsej janë gjykuar katër persona. Ky element tregon dhe vërteton më së miri edhe për raportet tjera për nivelin e dobët të efikasitetit të gjyqësisë.
KDI me këtë rast ka bërë edhe disa rekomandime: Nxitja e prokurorisë për ti hetuar rastet e paraqitura në media; Reagimi/reflektimi institucional; Marrja parasysh e raporteve të auditimit; Përsëritja e shkrimeve për temat e botuar një herë, ri-aktualizimi i atyre temave.
Në raport po ashtu është evidentuar edhe prioriteti që mediat i japin artikujve për korrupsionin.
Ky projekt realizohet në kuadër të programit Transparenca dhe Antikorrupsioni. Qëllimi i këtij monitorimi lidhet me nxitjen e gazetarëve për të raportuar për korrupsionin dhe nxitjen e organeve kompetente për ti hetuar rastet e paraqitura.