GIZ-i gjerman mbështet MFSK-në
Prishtinë, 29 maj - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shkëlzen Sylaj, ka pritur sot në ambientet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), ish Komisionerin e Bundestagut për Forcat e Armatosura të Gjermanisë, tani në cilësinë e ekspertit të Projektit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ-it) për Kontrollin Demokratik të Sektorit të Sigurisë Reinhold Robbee .
Qëllimi i këtij takimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit në mbështetje të Projektligjit për Komisionerin e Kuvendit të Kosovës për FSK-në dhe Policinë e Kosovës, në legjislaturën e ardhshme. Ky projekt do të krijoj bazën ligjore për themelimin e institucionit të Komisionerit, si organ që do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të FSK-së dhe PK-së, e në veçanti do të forcojë kontrollin demokratik civil.
Në këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj ka falënderuar z. Robbee për punën dhe përkushtimin e tij në hartimin e projektligjit në fjalë dhe përkrahjen që shteti gjerman ka ofruar për Kosovën në të gjitha segmentet. Ai përsëriti mbështetjen MFSK-së në kalimin e procedurave për miratimin e ligjit duke e parë si një mekanizëm të rëndësishëm në rritjen e transparencës dhe zhvillimit demokratik te Forcës. Ndër të tjera, z. Sylaj theksoj se të arriturat e FSK-së kanë dy adresa. E para që FSK-ja është e përkushtuar në ardhmërinë e saj drejt NATO-s dhe e dyta përkrahja e shteteve mike në ndërtimin e një force të sigurisë që sot është institucioni më i besuar në vend, që njëherit është i gatshëm edhe për zbarkime në misione humanitare dhe paqeruajtëse.
Z. Robbee, duke lavdëruar të arriturat dhe punën e deritanishme të FSK-së, ka potencuar se Projektligji për Komisionerin e Kuvendit të Kosovës për FSK-në dhe PK-në, do të bëjë që shtetet mike të kuptojnë se Kosova po krijon një transparencë në raport me FSK-në, të cilën jo të gjitha vendet e NATO-s e kanë, pra themelimi dhe funksionalizimi i këtij institucioni në raport me reputacionin ndërkombëtarë do të reflektojë vetëm pozitivisht.
Në takim u bisedua edhe për produktet e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë (RSSS), si dhe çështje tjera të rëndësishme për sektorin e sigurisë.