Gazetarët nga Kosova solidarizohen me kolegët francezë
Prishtinë, 8 janar - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së bashku me përfaqësues të mediave, në shenjë solidarizimi me gazetarët e të përditshmes franceze Charlie HEBDO, që humbën jetën dje nga një sulm terrorist që u bë në redaksinë e tyre në Paris, u mblodhën sot me një aktivitet në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Ata duke treguar se po e bashkëndjejnë dhimbjen, në duar mbanin mbishkrimet Unë jam Charlie. Ata qëndruan në sheshin e kryeqytetit që sado pak të tregojnë se po ndajnë dhimbjen së bashku me familjarët e viktimave në Paris.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe zëvendësambasadorja franceze në Kosovë , Lise Moutoumalaya. Ajo shprehu ngushëllimet.
Dua të them pak fjalë, vetëm dua të falënderoj të gjithë njerëzit, veçanërisht këtu në Kosovë, që shprehin solidaritetin për viktimat dhe familjarët, tha ajo.
E kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani tha se AGK vlerëson se çdo sulm ndaj gazetarëve është përpjekje e dështuar për ta mbytur fjalën e lirë.
Kjo është një ditë e dhimbshme për ne dhe me fjalë nuk mund të përshkruhet ajo çfarë ndjejmë për kolegët tanë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se sulmi i djeshëm dhe çfarëdo sulmi ndaj mediave, ndaj gazetarëve, është një përpjekje e dështuar për ta mbytur fjalën e lirë. Gazetarët, do të vazhdojmë të përkrahim njëri tjetrin, do të vazhdojmë të ngremë zërin për padrejtësitë dhe për të gjitha ato çfarë ndodhin rreth nesh. tha ai.
Ai tha se gazetarët do të vazhdojnë të informojnë drejte opinionin e gjerë.