Gashi: Dështimi i institucioneve të drejtësisë krijoi Specialen
Prishtinë, 21 dhjetor - Deputeti Kuvendit i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se krijimi i Gjykatës Speciale ka impakt social në Kosovë, por se për këtë gjykatë nuk ka hapësirë për peticion kundër saj.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm që krimet e pretenduara duhet të gjykohen. Krijimi kësaj lidhet me dështimin e institucioneve të UNMIK-ut, të EULEX-it e institucioneve të Kosovës, për tu marrë me krimet e pretenduara të luftës”, tha Gashi sot në emisionin n’Kuvend të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të moderatorit Zejdush Kastrati.
Sipas tij Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës. “Peticioni që ka filluar nga shoqatat e dala nga lufta, si i tillë ende pa filluar punën Gjykata Speciale është absurd”, tha ai. Gashi tha se për këtë Gjykatë nuk ka përkrahje në Kuvendin e Kosovës. “Kushdo që ka bërë krime do të dënohet”, tha ai.
Gashi vlerësoi se nuk mund të diskutohet për këtë gjykatë nëse ka dështuar, apo ka bërë lëshime, pasi që ajo ende nuk ka filluar të funksionojë dhe të ketë efekte. “Nuk mund të ketë destabilizim të Kosovës, kanë kaluar 20 vite”, theksoi ai.
Për krimet e pretenduara, Gashi, vlerësoi se nuk duhet të kolektivizohet krimi.
Kurse për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, të ideuar nga Thaçi, deputeti Gashi tha se duhet të merremi me dokumente.
Ndërsa për qeverisjen e Haradinaj, deputeti Gashi tha kryeministri nuk ka njohuri për ambientin e politikës ndërkombëtare. “Për 100 ditë çdo ditë ka emëruar anëtarë në kabinetin e tij. Kjo qeveri është e izoluar", tha Gashi.