Garda e Iowa-s, mbështet FSK-në
Prishtinë, 13 shkurt - Ministri dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës(FSK), Agim Çeku dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pritën sot, në takime të ndara, komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Timothy Orr, me bashkëpunëtorë.
Ministri Çeku dhe gjenerali Kastrati e kanë falënderuar komandantin e Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralin Orr, për ndihmat e vazhdueshme profesionale që po japin për FSK-në. Ata, gjithashtu e kanë njoftuar delegacionin e Amerikës për të arriturat e përgjithshme të FSK-së, si dhe për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë.
Me këtë rast, ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku në shenjë mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e dhënë për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së, komandantin e Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralmajorin Timothy Orr e dekoroi me MEDALJE.
Për shërbim meritor, për kontribut të jashtëzakonshëm, partneritet dhe mbështetje të vazhdueshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një Institucion profesional, kompetent dhe të aftë .
Ndërsa, komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjenerali Orr, falënderoi ministrin Çeku dhe komandantin e FSK-së, gjeneral Kastratin, për dekoratën, dhe për bashkëpunimin e deritashëm si dhe premtoi në thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm edhe në të ardhmen.