26 Dhjetor 2024

Gani Sahitit nuk i vjen keq për vrasjen e Drejtorit të Arsimit

Prishtinë, 7 tetor - Gani Sahiti nuk i ka rënë pishman që e ka vrarë të hënën drejtorin e Arsimit të komunës së Prishtinës, Remzi Salihu. “Mua më vjen keq vetëm për emrin e tij si Remzi”, ka thënë dorasi Gani Sahiti para prokurorit Blerim Isufaj, në ditën që atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Prokurori Isufaj tashmë ka nisur hetimet në këtë rast. Nuk preferon të flasë për detajet e pistave të hetimeve, por tregon se vepra penale kundër Gani Sahitit është cilësuar si vrasje, vepër e cila mund të sjellë dënimin më të rëndë prej dyzet vjetësh që lejohet me ligjet e aplikuara në Kosovë.

Prokurori ende nuk e ka marrë në pyetje të pandehurin, 30-vjeçarin Gani Sahiti. Por, ky i fundit një deklaratë të zgjeruar e ka dhënë në polici, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe gazeta.

“Që të mos pësojnë të tjerët, që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen dhe të marrin mësim të tjerët”, është përgjigjur Gani Sahiti në pyetjen e policisë se pse e ka vrarë Remzi Salihun, trasneton sot “Zëri”.

Sahiti pretendon se atij i është bërë e padrejtë dhe ka pësuar pasi ka konkurruar për drejtor të shkollës në fshatin Dabishevc, Komuna e Prishtinës. Ai ka rrëfyer se si pengesë për këtë i ishin bërë drejtori i shkollës, Hamdi Hyseni me familjarët e tij.

Ata e kishin rrahur njëherë Sahitin dhe ky i fundit rastin e kishte paraqitur në polici, ndërsa në maj e kishte lënë edhe punën prej arsimtari të biologjisë në Dabishevc. Teksa konkursi për drejtor shkolle pritej që të përsëritej, ishte hapur në ndërkohë një konkurs për mësimdhënës në një fshat tjetër të Gollakut, në Koliq.

Edhe aty kishte konkurruar, por nuk ishte pranuar. Ishte ankuar në shumë institucione dhe së fundi edhe në zyrën rajonale të arsimit në Prishtinë. Kishte shkuar disa herë dhe të hënën në mëngjes për herë të tretë e kishte takuar tashmë të ndjerin Remzi Salihu.

Të hënën ai kishte shkuar për të shikuar se çfarë është bërë me ankesën e tij. Aty kishte kuptuar se ankesa iu ishte refuzuar dhe aty kishte marrë vendimin për vrasje.

“Definitivisht sot. Pasi që Salihu i ishte përgjigjur komisionit që unë e kam çrregulluar mësimin në shkollën në Dabishevc, unë e kam vrarë atë, sepse më herët qëllimin e kam pasur ta vras Hamdi Hysenin”, ka thënë Sahiti rreth momentit kur ka marrë vendim për vrasje.

“Sapo kam hyrë në zyrë, ai (Remzi Salihu), ishte duke folur me dikë në telefon. Posa e ka ndërprerë bisedën unë i kam thënë që më ka lënë në rrugë, pastaj e kam nxjerr armën dhe kam shtënë shtatë herë në të”, ka rrëfyer Sahiti në polici momentin kur ka kryer krimin.

I ndjeri nuk e kishte thënë asnjë fjalë, ngase vrasësi nuk i kishte lënë kohë për të. Ai kishte dalë nga objekti ku ka kryer krimin dhe i ishte dorëzuar policisë, ndërsa armën me të cilën e ka kryer vrasjen e kishte pasur që nga koha kur ka qenë duke shërbyer si mjek në UÇPMB.

“Këtë armë e kam mbajtur me vete që nga prilli kur jam sulmuar fizikisht”, ka deklaruar Sahiti. Me askënd Sahiti nuk e kishte diskutuar atë se çfarë do të bënte, ndërsa në komunë ai thotë se edhe më herët ka shkuar me armë.

Edhe herëve të kaluara ai kishte shkuar me armë në Komunë, ndonëse kishte pasur sigurim. “Po, ka pasur sigurim, mirëpo ata nuk të pyesin ku po shkon, aty është si në pazar”, ka thënë Sahiti në polici.

Policia atij i kishte gjetur armë edhe në shtëpi, dy granata dore dhe një thikë luftarake. E, këto armë thotë se i ka suvenir nga lufta në UÇPMB-së. Ganiu e ka pranuar se është vrasës i Remzi Salihut. Ganiu vazhdon të qëndrojë prapa grilave dhe rrezikon të dënohet me dënimin maksimal në Kosovë, ndërsa viktima që ai e ka shkaktuar është varrosur të martën në varrezat e fshatit Prapashticë të Prishtinës.

Teksa për Ganiun kanë nisur hetimet qysh të hënën, për vdekjen e Remzi Salihut Komuna e Prishtinës vazhdon të mbajë të hapur Librin e Zisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)