14 Janar 2025

Fuqizimi i Sundimit të Ligjit fuqizon shqiptarët anembanë

Prishtinë, 2 shkurt - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim homologun e tij, Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë z. Nasip Naço.

Të dy ministrat kanë shprehur vullnet të plotë që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sundimit të ligjit.

Gjatë takimit është biseduar për përpjekje shtesë për zbatimin e marrëveshjeve për bashkëpunim juridik në fushën penale. Të dy ministrat kanë mirëpritur thellimin e bashkëpunimit në fushën civile.

Përveç dakordimit për të filluar negocimin e marrëveshjes për bashkëpunim më të ngushtë në çështjet civile, ka mbretëruar vullnet edhe për shkëmbimin e regjistrave të noterisë mes dy vendeve—që do të ishte në dobi të shtetasve të dy vendeve.

Ministri Kuçi ka theksuar edhe nevojën që drejtësia të kujdeset më shumë për ekonominë, dukë krijuar lehtësira ligjore për bizneset e shqiptarëve në të dyja anëve të kufirit. Siguria e plotë juridike krijon mjedis të përshtatshëm për investime.

Ministri Kuçi gjithashtu ka kërkuar nga Ministri Naço sigurimin e praktikës së institucioneve të Shqipërisë në funksionalizimin e mbikëqyrjes elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht.

Implementimi i Projektligjit që rregullon këtë mekanizëm alternativ në Kosovë kontribuon direkt në respektimin e të drejtave dhe lirive të personave të dënuar që kualifikohen për këtë lloj mekanizmi alternativ.

Krijimi i këtij mekanizmi ndihmon tërthorazi edhe në përmirësimin e kushteve për ata që vuajnë dënimin në burgje.  Republika e Kosovës do të konsiderojë që të përvetësojë modelin e Republikës së Shqipërisë në këtë fushë.

Gjatë takimit, ndër të tjera, Ministri Kuçi tha: “Kemi vullnetin e plotë nga të dyja anët që ta thellojmë bashkëpunimin në mes të prokurorive tona, gjykatave tona, sistemeve tona.

Them se sistemi ynë të jetë unik, sepse kriteret që ne i përvetësojmë dhe aplikojmë janë në harmoni të plotë me ato të Unionit Evropian”.

Ministri Naço ka vlerësuar lartë arritjet e Ministrit Kuçi në mandatin e kaluar, si dhe i ka uruar suksese Ministrit Kuçi në përmbushjen e prioriteteve të këtij mandati të njëpasnjëshëm, që Ministri Kuçi e ka prezantuar me moton “Besimi në Drejtësi”.

Ministri Naço ka siguruar përkushtimin e tij të plotë në implementimin edhe më efikas të marrëveshjeve mes dy vendeve, si dhe në hapjen e fushave të reja të bashkëpunimit në fushën civile.

Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, z. Nasip Naço, po qëndron në Kosovë me ftesë të Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Hajredin Kuçi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)