Fuqizimi i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues i kontribuon sundimit të ligjit
Prishtinë, 3 nëntor - Sot, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka marrë pjesë në përmbylljen e Projekti të Binjakëzimit, Fuqizimi i Shërbimeve Korrektues dhe Sprovues në Kosovë i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Me rastin e përmbylljes së projektit, Ministrja Hoxha tha se jemi duke përmbyllur një projekt tejet të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në sundimin e ligjit, komponentë kjo qenësore në procesin aktual euro-integrues të Republikës së Kosovës.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Hoxha falënderoi realizuesit e projektit, Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar nga Franca dhe theksoi se ky projekt i kontribuon rritjes së vetëdijes për humanizmin e ekzekutimit të dënimeve alternative me çka ndikon në reduktimin e krimit, zvogëlimin e recidivizmit dhe rritjen e sigurisë në shoqëri.
Projekti në fjalë do të pasohet nga faza e dytë e Binjakëzimit, ku parashihet të zgjatë 30 muaj, me çrast do të përmbyllet strukturimi i përgjithshëm i SHKK-së dhe SHSK-së.
Misioni im dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhet ngushtë me vazhdimin e ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, fuqizimin e zbatimit dhe sundimin e ligjit. Luftimi me vendosmëri i krimit dhe korrupsionit, vazhdimisht duke mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, duke shtuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien, ne krijojmë bazën e sigurt të së tashmes tonë si partner në fushën e drejtësisë, madje edhe në nivel regjional dhe global por edhe të ardhmes tonë, tha Ministrja Dhurata Hoxha.
Po ashtu, Ministrja Hoxha përmendi edhe reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë, ku në veçanti vuri theks tek rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të procedurës penale, fuqizimin e profesioneve të lira, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, ngritjen e performancës në sektorët e veçantë, ku vlerësoi se japin argumente se ne duam që komponentë e zbatimit të ligjit të jetë ana e fortë e Republikës së Kosovës.
Ministrja Hoxha vlerësoi se drejtësia përbën vlerën themelore të sigurisë dhe besimit të investitorëve, të cilët duan garanca për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, se kanë dhe ofrohet siguri për investime.
Në fund të fjalës së rastit, Ministrja Hoxha falënderoi Bashkimin Evropian për përkrahjen e ofruar ne fushën e sundimit të ligjit, dhe po ashtu falënderoi edhe stafin vendor që me përpikëri zbatoi rekomandimet dhe ekspertizën e ekspertëve të Bashkimit Evropian, në dobi të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.