Funksionimi efektiv i gjykatave themelore, kyç për sundimin e ligjit
Prishtinë 13 shkurt - Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vizituar sot, Gjykatën themelore në Pejë ku u prit nga kryetari i saj, Kreshnik Radoniqi me bashkëpunëtorë. Pasi foli për arsyet e vizitës dhe gjendjes në sistemin e drejtësisë, Ministrja Hoxha diskutoi për reformën dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.
Një nga ndryshimet pozitive që presim të ndodhin pas rishikimit funksional në sektorin e sundimit të ligjit, është hartimi i strategjisë së sektorit të sundimit të ligjit, strategji e cila do të jetë baza e reformave të vazhdueshme që do të ndërmerren në sektorin e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe gjyqësorin. Funksionimi efektiv i gjykatave themelore është kyç për sundimin e ligjit, theksoi ministrja Hoxha.
Po ashtu, ministrja Hoxha vuri në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes gjithëpërfshirës në rishikimin të legjislacionit.
Pjesëmarrja juaj aktive duke kontribuar jo vetëm me punë në grupe punuese por edhe duke i komentuar me shkrim amendamentet e caktuara që ju i hasni në praktikë, do të jenë të mirëpritura dhe do të rishikohen nga grupi punues gjatë rishikimit të legjislacionit, ngase ligjet e aprovuara duhet të jenë edhe të aplikueshme, theksoi ministrja Hoxha.
Kryetari i Gjykatës themelore, Kreshnik Radoniqi mirëpriti vizitën e Ministres Hoxha duke theksuar se vizitat e tilla ndikojnë gjithanshëm në punën e tyre, sepse është dëshmi se gjyqësori ka mbështetjen e plotë nga institucionet qendrore.
Përkushtimi ynë për ngritjen e cilësisë së gjyqësorit është i vazhdueshëm. Konsideroj se perceptimi i punës së gjyqësorit nuk është në pajtim me punën që bëhet, ne bëjmë punë të çmueshme dhe kontribuojmë çdo ditë për fuqizimin e sundimit të ligjit, theksoi Radoniqi.
Në diskutim u mirëprit dhe vlerësua lartë vizita që i kontribuon jo vetëm komunikimit të drejtpërdrejtë në funksion të sundimit të ligjit, por edhe ngritjes së transparencës, ngase Gjykatat themelore janë qenësore edhe në ngritjen e perceptimit pozitiv të gjyqësorit.