Funksionalizimi i Gjykatës Speciale nis në shtator
Prishtinë, 5 gusht - Kalimi i amendamentit dhe votimi i Ligjit për dhomat e specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar i kanë hapur rrugë nisjes së negociatave me shtetin e Holandës, për arritjen e marrëveshjes që një seli e këtyre dhomave të vendoset në Hagë.
Gazeta ka marrë vesh se negociatat do ti zhvillojë Ministria e Punëve të Jashtme, ku pas arritjes së marrëveshjes e njëjta duhet të sillet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Shtatori është afati kur pritet të nisë funksionalizimi i Gjykatës Speciale, shkruan sot Koha Ditore.
Në ditën e fundit të zhvillimit të punimeve në sesionin pranveror legjislatura e pestë e Kuvendit mori vendimin më të rëndësishëm, duke miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka konfirmuar se fillimisht shteti që ai përfaqëson duhet negociojë me Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian- (EEAS) dhe më pas me Qeverinë e Kosovës.
/Koha Ditore/