FSK të dërgojë ekipe të shpëtimit në Bonjë dhe Serbi
Prishtinë, 18 maj - Asociacioni i Paktit Atlantik i Rinisë së Kosovës i ka propozuar Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, që të ofrojë mundësinë e dërgimit të kontigjenteve të specializuara për kërkim shpëtim, kontigjentin e mjekëve në Kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës për tu dalë në ndihmë njerëzve në nevojë në zonat e përmbytura në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi.
Asociacioni i Paktit Atlantik i Rinisë së Kosovës (APARK) është duke vëzhguar me kujdes situatën e jashtëzakonshme me vërshimet në territorin e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe lutet për të gjithë ata të cilët e kanë humbur jetën nga kjo fatkeqësi dhe shpreh ngushëllimet për familjet e tyre dhe uron që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejtë dhe të ketë sa më pak dëme, thuhet në një njoftim të APARK.
APARK thotë se, duke parë që Serbia dhe Bosnja kanë nevojë për mbështetje dhe kanë kërkuar mbështetje nga vende të ndryshme dëshiron që të reagojë me mundësitë e tij.
Në kuadër të bashkëpunimit të sinqertë rajonal, për të ndihmuar njëri tjetrin në situata të vështira, dhe duke pasur parasysh vlerat e mirëfillta të shteteve dhe aleancave në të cilat pretendojmë të jemi në të ardhmen, i propozon Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, të deklarohet dhe të ofron mundësinë e dërgimit të kontigjenteve të specializuara për kërkim shpëtim, kontigjentin e mjekëve në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës për tu dalur në ndihmë njerëzve në nevojë në ato zona, thuhet në njoftimin e APARK-ut.
APARK ka ftuar Qeverinë e Serbisë dhe të Bosnjës që në situata të jashtëzakonshme, të lënë mënjanë politikën e tyre dhe të pranojnë ndihmën e specialistëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, që bashkërisht si rajon të përballemi me fatkeqësitë që mund të na ndodhin.
Asociacioni i Paktit Atlantik i Rinisë së Kosovës angazhohet për procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në fushën ku si target ka rininë.