FSK synon vitin 2012 për plotësimin e objektivave
Prishtinë, 7 tetor - Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, takoi sot komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi.
Në këtë takim, Krasniqi e falënderoi gjeneral lejtënant Selimin për punën e mirë që ka bërë ai dhe FSK-ja për plotësimin e standardeve të kërkuara në procesin e ngritjes dhe të zhvillimit të FSK-së.
Krasniqi tha se krahas synimit të Kosovës për anëtarësim në strukturat e BE-së, përafrimi dhe anëtarësimi në NATO mbetet synim tjetër madhor i vendit.
Ndërkaq, Gjeneral lejtënant Sylejman Selimi, e informoi Krasniqin për proceset nëpër të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës, e në veçanti për procesin e trajnimeve të cilat janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me vendet anëtare të NATO-s.
Sipas gjeneral lejtënant Sylejman Selimit, synohet që viti 2012, të jetë vit i përmbushjeve të të gjitha objektivave profesionale që ka FSK-ja.
Poashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për infrastrukturën ligjore që ka të bëjë me FSK-në.