FSK pranon një donacion për deminim nga Ushtria e Suedisë
Me këtë rast zv/ministri Veseli tha se: ky operacion i cili po ndërmerret bashkërisht FSK- Ushtri Suedeze, është me rëndësi të veçantë, sepse deminimi në lokacionin e Gërmisë, ka kërkuar makineri e cila do të përballoj me sukses vështirësitë e këtij operacioni.
"Ne jemi krenar tha Shemsi Veseli që me punën e trupave të FSK-së , Kosova po bëhet çdo ditë e më e siguritë, falë punës dhe sakrificës së deminerëve tanë."
Zv.ministri Veseli falënderoi Forcat e Armatosura të Suedisë për angazhimin e pakursyer në deminimin e zonës në Gërmi dhe në zona tjera të Kosovës.
Gjithashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati u shpreh i kënaqur me operacionin e deminimit në Gërmi dhe aq më shumë kur punohet me këto kapacitete, të cilat e përshpejtojnë operacionin dhe e garantojnë sigurinë e trupave gjatë punës si edhe krijojnë mundësi për liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët që e frekuentojnë këtë zonë.
Nga ana e saj shefja e misionit të Suedisë në Kosovë, zonja Ingrid Johanson u shpreh e lumtur që Forcat e Armatosura të Suedisë, përmes kontingjentit të saj është angazhuar në operacion të dominimit së bashku me FSK-në, dhe nëpërmjet këtij aktiviteti do të mundësojë një jetë më të lehtë për qytetarët e Kosovës.
Operacioni i deminimit në parkun e Gërmisë në Prishtinë, po kryhet nga FSK-ja, me mbështetjen e Forcave të Armatosura Suedeze i cili ka filluar me 22 prill dhe do të mbaroj në fund të qershorit 2013.
Regjimenti i Xhenios Göta i ka vënë në dispozicion ekskavatorët e blinduar që mund të dirigjohen nga largësia, për të gërmuar ndërtesat, ndërsa FSK-ja e ka vënë në dispozicion personelin për deminim. Shtatë ushtarë suedezë të Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Xhenios Göta po e mbështesin këtë projekt. Pastrimi i mjeteve të pashpërthyera në parkun e Gërmisë është iniciativë e Qendrës Koordinuese për Deminim, që ka filluar në vitin 2011. Shtrirja e projektit vlerësohet të jetë rreth 30.000 metra katror.
Gjatë bombardimeve të NATO-s janë bombarduar dhe rrënuar ndërtesat në parkun e Gërmisë. Ka akoma mjete të pashpërthyera dhe toka nuk shfrytëzohet për shkak të rrezikut nga bombat kasetë që kanë mbetur nën gërmadha.