FSK përkujton 11 shtatorin e sulmeve terroriste në SHBA
Prishtinë, 11 shtator - Sot, në të gjitha kazermat e FSK-së, në shenjë nderimi dhe përkujtimi të viktimave të terrorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjithë flamujt janë lëshuar në gjysmë shtize si dhe janë mbajtur një minutë heshtje.
Në Kazermën \"Adem Jashari\" në Prishtinë, për ti nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, ishte edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtor i Drejtorisë për Operacione në MFSK, gjeneral brigade Zymer Halimi dhe zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli.
Një fjalën e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama para pjesëtarëve të FSKsë dhe atyre amerikanë, tha: jemi këtu për ti nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit, që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmi i 11 shtatorit pati tronditur jo vetëm popullin amerikan por edhe popullin shqiptar.
Populli i Kosovës kurrë nuk do ta harrojë ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA-të dhanë për lirinë e saj, prandaj, edhe në këtë përvjetor shprehim falënderimin e veçantë për popullin amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundoi fjalën e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Ndërsa, Nënkoloneli amerikan, AA. RHUS, tha: jam shumë i lumtur këtu para jush, kur ju shoh, që ndani dhimbjen së bashku me ne, në nderim të viktimave të 11 shtatorit. Para një viti Kosovën e kam parë vetëm përmes televizionit dhe tani që gjashtë muaj jam këtu, në Kosovë dhe ndihem shumë i lumtur që Kosovën e kemi mikun më të ngushtë.
Më 11 shtator të vitit 2001, terroristët sulmuan Kullat binjake në New York të SHBA-ve, ku humbën jetën mijëra civilë të pafajshëm.