FSK nis sot konferencën rajonale të nënoficerëve
Në hapjen e punimeve të konferencës, një fjalë rasti mbajti komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i cili u shpreh se ndjehet tejet i lumtur që FSK-ja ka arritur këtë nivel dhe gjithashtu ka arritur që të bashkojë nënoficerët e shumicës së ushtrive të vendeve të rajonit.
Gjeneral Kastrati gjithashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të tij në zhvillimin dhe profesionalizimin e Trupës së nënoficerëve.
Komandanti Kastrati theksoj po ashtu edhe rëndësinë e bashkëpunimit të nënoficerëve të ushtrive të vendeve të rajonit si edhe mbështetjen që kjo kategori po merr nga Komanda e Ushtrisë amerikane në Evropë(EUCOM).
Rreshter majori i parë i Komandës së Forcave Tokësore, Fetah Zejnullahu, në emër të organizatorit u shpreh i lumtur me gatishmërinë e ushtrive të rajonit për të marrë pjesë dhe për të kontribuar planifikimit për zhvillimin e Strategjisë së Zhvillimit të Nënoficerëve.
Ndër ligjëruesit e parë ishte rreshter majori i parë i Komandës amerikane për Evropë, Roy Maddocks i cili prezantoi temën Strategjia për sigurinë aktive-qasje regjionale.
Në konferencë po marrin pjesë nënoficerë nga Komanda e Ushtrisë amerikane për Evropë, nga ushtritë e rajonit; Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë.
Konferenca rajonale e nënoficerëve, e para e këtij lloji ne nivel të rajonit, vazhdon punimet edhe nesër me prezantime si edhe një vizitë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.