FSK nis operacion për deminimin e zonës së parkut Gërmia
Prishtinë, 24 prill - Departamenti për Marrëdhënie me Publikun i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), ka berë të ditur se Kompania e Deminimit të FSK-së, ka filluar punën për deminimin e zonës së minuar në parkun Gërmia në Prishtinë, që nga data 11 prill 2013 dhe do të vazhdoj këtij aktivitet deri në qershor të këtij viti.
Përgjatë tërë perimetrit të zonës së minuar janë të vendosur shiritat e verdhë të cilët sinjalizojnë për zonën e rrezikshme, prandaj ju njoftojmë se kjo zonë është rreptësisht e ndaluar për frekuentim nga ana e qytetarëve. Me këtë rast ftojmë të gjithë qytetarët që të qëndrojnë larg zonës së shënjuar, sepse është e rrezikshme për jetën e njerëzve.
Deminierët e FSK-së, janë të angazhuar çdo ditë, dhe me punën e tyre janë duke bërë pastrimin e terenit nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera. Opinioni i gjerë do të njoftohet me kohë me përfundimin e operacionit në parkun e Prishtinës Gërmia.
Për shkak të aktivitetit të deminimit në zonën e operacionit në parkun e Gërmisë, njoftojmë opinionin e gjerë për kujdes dhe respektim të shiritit të verdhë MINE dhe ZONË e NDALUAR!