FSK nis ligjërimin nëpër shkolla për për minat
Në agjendën e ditës së sotme 23 janar 2013 ishin nxënësit e shkollës së Harilaqit dhe ajo e Sllatinës, ku pjesëmarrës ishin të gjithë nxënësit e cikleve të ulëta të këtyre shkollave.
Rreshter major Isa Palushi përgjegjës për instruktorët e FSK-së nëpër shkolla tha se 12 instruktorët e FSK-së të cilët janë të trajnuar dhe të licencuar për këto ligjërime janë shumë profesional në punën të cilën e bëjnë me shumë përgjegjësi dhe përkushtim.
Nxënësit e këtyre shkollave janë shumë të interesuar për rritjen e njohurive sa i përket mjeteve të pashpërthyera dhe çdo herë e më shumë tregojnë interesim për këtë çështje në çdo ligjëratë tonën, po ashtu edhe instruktorët e FSK-së janë shumë të afërt më këta fëmijë tha rreshter major Palushi.
Ndërkaq Hamit Sopjani, përgjegjësi i shkollës fillore Bajram Curri tha se ligjëratat të cilat po na i ofron FSK-ja janë më të vlefshme se çdo gjë tjetër sepse përmes këtyre ligjëratave fëmijët tanë mësojnë se çka konkretisht janë mjetet rrezikshme dhe si ata me kontributin e tyre mund të shpëtojnë një jetë.
Sopjani tha se instruktorët e FSK-së përmes shenjave të rrezikut dhe fotografit e mjeteve të pashpërthyera po ua sqarojnë fëmijëve në përpikëri rrezikun që ju kanoset çdo ditë.
Dren Berisha nxënës i klasës së VIII tha se FSK-ja u ofrojë atyre shumë informacione që nuk i kishin ditur më parë Nga FSK-ja mësuam se si duhet të kemi kujdes nga minat dhe mos të afrohemi te to, por as mos ti prekim pa i lajmëruar dikë më të rritur se na tha Berisha.
Po aq e entuziazmuar për mësimet që i kishte marrë nga ky ligjërim ishte edhe nxënësja e klasës së VII Albiona Kolshi e cila me shumë emocion tregoj se si kishte dëgjuar një histori të një djaloshi të ri, që kishte humbur jetën si pasojë e shkeljes së mjeteve të pashpërthyera.
Nuk duhet mi prek minat, na duhet mi lajmërua prindërit, policinë ose FSK-në. Unë e njoh një djalë që ka ra në mina dhe ka vdesë sepse nuk ka ditë që ato janë të rrezikshme tha Albiona.
Ligjërimi i instruktorëve të FSK-së për vetëdijesimin nga minat ka filluar me 21 janar dhe do të përfundoj me 21 shkurt 2013. Kjo fushatë e vetëdijesimit të nxënësve bëhet në bazë të bashkëpunimit të MFSK dhe MASHT dhe Drejtorive Komunale të Arsimit.
Që nga paslufta e fundit në Kosovës; 115 persona kanë humbur jetën si pasojë e shkeljes në mjetet e pashpërthyera, 452 janë lënduar, janë gjetur 1300 mjete të pashpërthyera, FSK-ja i ka pastruar 160 mijë metër katror, 54 fusha janë ende të rrezikshme, 41 me bomba kasetore dhe 13 fusha të minuara.