FSK në ushtrimin Luani Shqiptar 2013
Prishtinë, 2 shtator - Ministri i FSK-së Agim Çeku së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, po marrin pjesë, për të përcjellë nga afër, ushtrimin Luani Shqiptar 2013, ushtrim i përbashkët i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe.
Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, sot, do të jenë mysafirë nderi dhe njëherësh do të përcjellin nga afër ushtrimin e koduar Luani shqiptar 2013.
Ushtrimi Luani shqiptar 2013 zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar. Për të përcjellë ushtrimin e përbashkët po marrin pjesë personalitet më të larta të Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe të rajonit.
Për të pranishmit në këtë aktivitet do të zhvillohet një demonstrim i përbashkët i Forcave Ajrore Britanike dhe Forcave Ajrore të Shqipërisë.
Stërvitja e përbashkët Luani shqiptar 2013, është një stërvitje shumë skenarësh, ku do të marrin pjesë rreth 3000 trupa britanike, kryesisht komando dhe forca detare.
Stërvitja e përbashkët shqiptaro-britanike Luani shqiptar 2013 ka një shtrirje të gjerë gjeografike, duke filluar prej rajonit stërvitor të Bizës, në Pashaliman, Kuçovë, Karaburun dhe Sazan. Forcat e Armatosura do të angazhohen në stërvitje me trupa dhe mjete të Forcës Detare, si dhe trupa të Forcës Tokësore, në realizimin e skenarëve të përbashkët.
Stërvitja e përbashkët Luani shqiptar 2013do të përfshijë në vetëvete tri stërvitje, secila me një skenar të caktuar. Gjatë periudhës njëmujore të qëndrimit, trupat britanike do të realizojnë dhe kryerjen e veprime ushtarake në det dhe në tokë në operacione të evakuimit, zbarkimit detar, qitje, etj.