FSK në stërvitjen Joint Reaction 15
Tiranë, 22 korrik - Një kontingjent i ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), ka zbarkuar në Republikën e Shqipërisë për të përmbushur misionin e tij në kuadër të ushtrimit të përbashkët simulativ ,,Reagimi i përbashkët 15 (Joint Reaction 15).
Kjo stërvitje zhvillohet në kuadrin e Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut 5, që përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në ushtrim po marrin pjesë kontingjente të ushtrive nga shtetet e rajonit si Bullgaria , Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, vende të NATO-s si ShBA-ja si dhe Qendra Koordinuese Euro Atlantike për reagim ndaj Krizave(Euro-Atlantik Disaster Response Coordination Centre).
Pjesë e këtij ushtrim është edhe Republika e Kosovës, e cila ka qenë e përfshirë gjatë gjithë periudhës së planifikimit si dhe pjesë në Ekzekutimin e Ushtrimit. Ushtrim ,,Joint reaction 15 është ushtrim simulativ që zhvillohet me anë të programeve të veçanta kompjuterike që mundësojnë procedura të reagimit sikurse reagime reale duke mbështetur operacionin ne të gjitha kapacitetet të cilat ofrojnë shtetet pjesëmarrëse.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka ofruar kapacitetet e saja Operacionale në Kërkim Shpëtim, pajisje dhe personel për të ndihmuar gjatë operacionit të Shpëtimit, si reagim në raste tërmetesh, dhe si i ftuar i vendit ku ka ndodhur tërmeti, pasi që shteti mikpritës ka shteruar sipas skenarit, kapacitetet e tij reaguese në raste emergjencash.
Gjithashtu si pjesë e skenarit të ushtrimit, në Kosovë është krijuar Qendra Operative Emergjente, në përbërje nga Ministria për Forcën e Sigurisë ,Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme prej nga është përcjell dhe koordinuar puna e ekipeve tona në Shqipëri.
Për të parë nga afër aktivitetet e simuluara të Ushtrimit ,,Joint reaction 15 për në Republikën e Shqipërisë ka udhëtuar gjeneral Brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione në ministrinë për Forcën e Sigurisë si dhe shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore(KFT) të FSK-së si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci i cili i është bashkuar delegacionit nga Republika e Kosovës.
Qëllimi i ushtrimit është promovimi dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë, rritja e ndërveprimit dhe adoptimi i standardeve, nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve të bashkëpunimit të njësive respektive.
Nga ana tjetër, gjithashtu me rëndësi është edhe bashkëpunimi rajonal, ndihma që duhet ti japin shtetet njëra-tjetrës do të forcohet akoma më shumë, duke shembur mure dhe ndërtuar ura veçanërisht në raste të katastrofave natyrore e njerëzore. Gjithashtu vëmendje të veçantë është kushtuar bashkëpunimit civil-ushtarak; marrëdhëniet me komunitetin, sensibilizimin dhe ndihmën ndaj popullsisë në përballimin e fatkeqësive natyrore.
Ushtrimi Joint Reaction 2015 është stërvitja e parë e këtij lloji në rajonin e Ballkanit, dhe po ashtu e para e organizuar e drejtuar nën kornizën e Kartës së Adriatikut (A5). Kjo stërvitje u ideua dhe konceptua vitin e kaluar, gjatë kryesimit të Kartës së Adriatikut nga Shqipëria.
Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të SHBA, Iniciativa Karta e Adriatikut u lançua në vitin 2003, fillimisht me 3 vendet e rajonit (Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni), dhe u ri dimensionua në vitin 2008 duke përfshirë dhe Malin e Zi e Bosnje dhe Hercegovinën.
Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë në Ushtrim duke qenë aktor në këtë stërvitje, për të tretën here nga viti 2013, përkundër faktit se Republika e Kosovës ka statusin e vëzhguesit në kuadër të Iniciativës ,,ShBA-Karta e Adriatikut (A5).