FSK ndihmon qytetarët e Klinës pas përmbytjeve
Prishtinë, 15 mars - Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se ekipet e FSK-së kanë nisur sot një operacion evakuimi pas vërshimeve-përmbytjeve si pasojë e reshjeve të djeshme të shiut, në shumë vendbanime të Kosovës, sidomos në komunën e Klinës, Pejës, Skenderajt, Mitrovicës, etj.
"Sot ekipe të Njësisë për Reagim në Kriza (NJRK) të FSK-së, kanë dalë në vendin e vërshimeve, për të vëzhguar dhe vlerësuar situatën, në komunën e Klinës, Skenderajt etj", thuhet në njoftim.
Pas vlerësimit, në ndihmë menjëherë ka shkuar edhe një njësit i Regjimentit të Mbështetjes Civile-Kompanisë së kërkim - shpëtimit të FSK-së, me 21 pjesëtarë, me 3 barka dhe 4 automjete, të cilët kanë intervenuar në fshatin Zajm, të komunës së Klinës.
Nga ekipet e FSK-së janë kontrolluar shtëpitë të cilat kanë qenë të përmbytura me qëllim që, mos ka mbetur ndonjë qytetarë i ngujuar.
FSK-ja është në terren dhe po i ndihmon të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë për ndihmë. Gjithashtu, FSK-ja ka intervenuar në restaurantin Guri i Zi, (i cili gjendet buzë Drinit, në rrugën për Gjakovë). ku kanë evakuuar 6 qytetarë të cilët kishin mbetur të ngujuar në hotel.
Gjithashtu një ekip tjetër i FSK-së, po qëndron në komunën e Skenderajt, ku po i ndihmon qytetarët si dhe po e përcjellë situatën në përgjithësi.
Situata e aktualisht ka filluar të qetësohet, por ekipet e FSK-së ende janë në terren, në gjendje gatishmërie, me qëllim të ndihmës eventuale për qytetarët të cilët kanë nevojë.