FSK me parakalim para qytetarëve në festimet e 14 vjetorit të Pavarësisë
Prishtinë, 17 shtator - Me rastin e 14 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, sot në Bulevardin "Nënë Tereza" dhe Sheshin "Zahir Pajaziti", kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me ato të Policisë së Kosovës, parakaluan para qytetarëve tanë dhe udhëheqjes më të lartë shtetërore dhe përfaqësuesëve tjerë vendor dhe ndërkombëtar.
Ceremonia e parakalimit, u realizua me urdhrin e Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, respektivisht Presidentes së Republikës, Shkëlqesisë së saj, znj. Vjosa Osmani - Sadriu, dhe të drejtuar nga Zv. Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.
Të pranishëm në manifestim ishin edhe Kryeministri i Republikës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Manifestimin e madhështoi edhe prania e Komandantit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Ben Corell.
Para fillimit të parakalimit, me fjalimet e tyre u paraqitën Presidentja Osmani, Kryeparlamentari Konjufca dhe Kryeministri Kurti.
Aktivitetet festive sot kanë filluar që nga mëngjesi me ngritjen ceremoniale të Flamurit Shtetëror pranë institucioneve qendrore të vendit, duke vazhduar me homazhe dhe nderime në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe Komplesin e Varrezave në Velani të Prishtinës, ku u nderuan Komandanti legjendar Adem jashari dhe Familja Jashari, Presidenti Historik Ibrahim Rugova dhe Simboli i Qëndresës Kombëtare Adem Demaçi.
Aktivitetet tjera festive do të vazhdojnë sipas agjendës shtetërore të planifikuar gjatë tërë ditës së sotme.