FSK kthehet në ushtri në 2013
Prishtinë, 27 dhjetor - Viti 2013 do të jetë koha kur Kosova do të bëjë një hap të madh, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Megjithëse nuk shpaloset hapur ky plan, ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku thotë se në arkitekturën e re të mbrojtjes dhe sigurisë, vendin e parë pritet ta ketë Ushtria e Kosovës.
Nuk ka shtet pa ushtri, thotë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke shprehur qartë se synimi është që Kosova të jetë një shtet normal dhe i qëndrueshëm.
Nuk ka shtet pa ushtri. Ushtria e bën një shtet funksional dhe të qëndrueshëm, që mbron qytetarët e vet. Ju së shpejti do ta shihni kthimin e FSK-së në ushtri, tha Çeku.
Këtë deklaratë ministri Çeku e bëri pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, ku bashkë me komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin, raportuan për punën gjatë vitit 2012.
Anëtarët e komisionit vlerësuan pozitivisht punën e bërë dhe nuk patën kritika, por problemi i vetëm që u shfaq gjatë mbledhjes ishte mungesa e shpeshtë e energjisë elektrike.
I pyetur nëse FSK është e gatshme të mbrojë Kosovën nga ndonjë pushtimi të jashtëm, në këtë rast nga Serbia, Çeku tha se NATO është këtu sepse Serbia po paraqet problem për stabilizimin e situatës në përgjithësi dhe se natyrisht që FSK është e gatshme të mbrojë Kosovën.
Ende Serbia po paraqet probleme dhe NATO do të mbetet këtu derisa të stabilizohet tërë rajoni. Ekspertët ushtarakë nuk e përjashtojnë mundësinë e një sulmi, por e mbajnë si probabilitet të vogël, tha Çeku.
Edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi thotë se kjo është krejtësisht e kuptueshme, pasi një shtet funksional duhet ti ketë të gjitha standardet.
Muajin e kaluar Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me uniforma të reja, ku integriteti territorial i Kosovës është i paraqitur në çdonjërën prej tyre.