FSK-ja përfundoi stërvitjen shumëkombëshe në Gjermani
Prishtinë, 7 korrik - Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i komanduar nga kapiten Fatmir Lani dhe i përbërë prej 16 pjesëtarëve, nga data 19 qershor deri më 11 korrik 2017 po merr pjesë në ushtrimin e përbashkët KFOR 23 në Bazën e Ushtrisë Amerikane për Evropë (USAREUR), në Qendrën e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri (JMRC), në Hohenfild të Republikës Federale të Gjermanisë.
Aty po merr pjesë një skuadër prej 9 pjesëtarëve të Kompanisë për Mbrojtje Kimike- Biologjike-Atomike(MKBA) dhe një ekipi prej 5 pjesëtarëve për Eliminimin e Mjeteve Eksplozive të Pashpërthyera (EOD) e Kompanisë së Deminimit, si dhe dy vëzhgues kontrollues.
Për të parë nga afër operacionet përfundimtare të ushtrimit, në Ditën e Vizitorëve në Gjermani, përveç personaliteteve të shumta ushtarake amerikane, gjermane dhe të vendeve tjera të NATO-s, qëndruan dje, edhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Jahir Sejdiu.
Gjenerali Halimi, nga drejtuesit e ushtrimit, mori komente dhe vlerësime shumë të larta për angazhimin, disiplinën dhe profesionalizmin që po tregojnë pjesëtarët e FSK-së.
Gjatë aktiviteteve trajnuese dhe stërvitore të ushtrimit, Ekipi i EOD-së ka për mision që të detektojë dhe shkatërrojë mjetet e pashpërthyera, ndërsa skuadra e MKAB-së të bie në kontakt me autoritetet lokale për të bërë vlerësimin e zonës së kontaminuar.
Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas përfundimit me sukses të ushtrimit KFOR 24, i cili u drejtua nga Qendra e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri, pritet që të kthehet në vend për të vazhduar shërbimin me profesionalizëm dhe përkushtim.