FSK-ja pajiset me automjete taktike amerikane 'Hamvi'
Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është një trupë profesionale, gjithëpërfshirëse dhe është shembulli më i mirë i ecjes së përbashkët të Kosovës me SHBA-të dhe NATO-n 'Sot, ne po bëhemi dëshmitarë të një ngjarjeje të madhe për popullin e Kosovës. Forca jonë e sigurisë po modernizohet me teknikë ushtarake shumë funksionale “Hamvi”.
Ngritja e kapaciteteve teknike të FSK-së dita-ditës tregon se kjo forcë po ngritët sipas standardeve të NATO-s’’.
Më tej, kryeministri Haradinaj theksoi se: ,,SHBA-ja, NATO, KFOR-i dhe Bondstilli janë sinonime të qetësisë e sigurisë në Kosovë, dhe nuk është habi që populli i Kosovës është ndër popujt më pro amerikanë dhe i qëndron besnik miqësisë së përhershme me SHBA-të’’.
Në fund të fjalës së tij, i pari i Qeverisë së Kosovës, z. Haradinaj tha:,, Kosova është rreshtuar me ushtritë e lirisë dhe të paqes. Tranzicioni i FSK-së do të bëhet në koordinim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë. Kosova nga një vend që absorbon siguri po kthehet në një vend që prodhon dhe ofron siguri dhe është e gatshme të marrë pjesë në misione paqeruajtëse, kudo që aleatët tanë e shohin të nevojshme’’.
Ndërsa, ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha tha: ,,Sot, është një ditë e veçantë për mua, Ministrinë dhe FSK-në. Mjetet taktike ,,Hamvi’’ do të jenë në shërbim të FSK-së, dhe ky akt i nënshkrimit është e një rëndësie të veçantë që i kontribuon thellimit të bashkëpunimit me SHBA-të, avancimit të FSK-së, si dhe rrit shkallën e ndërveprueshmërisë me shtetet e NATO-s.’’.
Në fund të fjalës së tij, ministri Berisha tha: ,,Dua ta falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e pakursyer në vazhdimësi e sidomos në kuadër të trajnimeve, edukimit apo edhe pajisjeve përmes Zyrës për Bashkëpunim Ushtarak (ODC) dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, dhe ky bashkëpunim do të vijoj edhe më tej në të ardhmen’’.
Nga ana e tij, ambasadori amerikan, Greg Delavie tha se: ,,Sot po kremtojmë nënshkrimin e kontratës për furnizim ndërmjet FSK-së dhe kompanisë ,,AM General’’ dhe se më vjen mirë që Forca e Sigurisë së Kosovës e ka përzgjedhur Hamv-në si automjetin e ardhshëm të saj’’.
Më tej ambasadori Delavie, tha gjithashtu se: ,,Kjo kontratë i dërgon shenjë të qartë botës se Kosova mëton ta qojë deri në fund integrimin Euro-Atlantik në të gjitha mënyrat. Kjo blerje do ta forcojë partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndihmojë në përmbushjen e ndërveprueshmërisë në mes të forcave ushtarake amerikane, NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu, jemi të ngazëllyer që jemi pjesë e kësaj ere të re të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe presim me padurim ta shohim dërgesën e parë të Hamvi-ve gjatë këtij viti’’.
Kurse, nënkryetari i kompanisë ,,AM General” z. Lawrance Platt, falënderoi Qeverinë e Kosovës dhe FSK-në për besueshmërinë për furnizimin me automjetet të Kompanisë, ashtu siç ka bërë ushtria amerikane dhe shumë shtete të NATO-s.
Në ceremoninë e organizuar nga Qeveria e Kosovës të pranishëm ishin edhe ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha, sekretari i përgjithshëm z. Shkelzen Sylaj, komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjeneral major Gëzim Hazrolli, nën-presidenti Ekzekutiv i kompanisë “AM Generals”, z. Lawrance Platt, komandant i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, komandant i Kampit Bondsteell, kolonel Nick Ducich, gjeneral të FSK-së, ministra, ambasadorë dhe atashe ushtarak të akredituar në Kosovë, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.