FSK-ja mori pjesë në aksionin "Ta pastrojmë Kosovën"
Prishtinë, 24 maj - Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe udhëheqës të saj, sot morën pjesë në aksionin në nivel vendi, me moton Ta pastrojmë Kosovën.
Aksioni Ta pastrojmë Kosovën filloi në Lagjen Kalabria në Prishtinë, ku morën pjesë, gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione, shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore (KFT) kolonel Naim Haziri, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përfaqësues dhe vullnetarë të iniciativës Ta pastrojmë Kosovën, nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, si dhe vullnetarë e qytetarët të tjerë.
Me këtë rast, gjenerali Zymer Halimi përshëndeti pjesëmarrësit e aksionit për pastrimin e ambientit, nxënësit e shkollave fillore, ushtarët e FSK-së, dhe qytetarët e Kosovës.
Ai, ndër të tjera tha: \"Këtë aktivitet e kemi bërë tashmë tradicional në gjithë Kosovën. Sot, po marrim pjesë dhe po kontribuojmë në pastrimin e ambientit sepse është në të mirën e fëmijëve dhe qytetarëve tanë. Gjeneral Halimi shtoi se, FSK-ja si zakonisht ka përkrahur dhe do të përkrahë aksionet e tilla, që janë në dobi të Kosovës.
Ne, sot jemi angazhuar në shumë qytete të Kosovës, me ushtarë dhe me një pjesë të mjeteve-makinerisë të rëndë, si kamionë dhe ngarkues, si në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Fushë Kosovës etj.
Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani, pas që falënderoi FSK-në, për përkrahjen e aksionit me ushtarë dhe makineri të rëndë, tha. Kjo sot që po e shohim është një dëshmi e fuqisë së qytetarisë së Kosovës, që tregon se edhe ne jemi pjesë e Evropës, duke treguar një përkushtim të madh për mjedisin dhe kjo më bënë shumë optimist që në ditët e ardhshme do ta kemi shtetin tonë ashtu siç jemi vetë.
Ish presidentja Kosovës, znj. Atifete Jahjaga mori pjesë në pastrimin e Kosovës dhe njëherë bëri thirrje për një kujdes më të madh të qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.
Kurse, koordinatori i Iniciativës Ta pastrojmë Kosovën, Luan Hasanaj, tha se vetëm gjatë ditës së sotme aksionin po e përkrahin mbi 50.000 vullnetarë, dhe kemi paraparë mënjanimin e mbi 150 deponive ilegale në mbarë vendin. Zoti Hasanaj falënderoi qytetarët dhe në veçanti Forcën e Sigurisë së Kosovës për përkrahje të vazhdueshme dhe ndihmën e saj, me makineri të rëndë.
FSK-ja, në aksionin e sotëm, ta pastrojmë Kosovën, ka pastruar dhe larguar nga deponitë ilegale qindra tonë mbeturina.