FSK-ja merr pjesë në Kampionatin Regjional të Atletikës në Llozanë të Zvicrës
Prishtinë, 17 janar - Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të bashkëpunimit me Komitetin Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake për Evropë (CISME), është ftuar për herë të parë, nga Ushtria Zvicerane, si nikoqir, që të marrë pjesë në Kampionatin Regjional të Atletikës, Cross Country Sport, që po mbahet në Llozanë Zvicër, nga data: 17-19 janar 2014.
Në këtë Kampionat, po marrin pjesë 13 delegacione dhe ekipe ushtarake nga shtetet që bëjnë pjesë në grupin prestigjioz të vendeve që e përbëjnë Grupin Regjional Nordik-Beneluks të CISM-it, si dhe disa ekipe mysafire.
Delegacioni i FSK-së përbëhet nga tetë pjesëtarë, ku në kuadër të ekipit garues janë gjashtë ushtarë të cilët do të garojnë në dy disiplina: Vrapim në shtigje të shkurta, FSK-në e përfaqësojnë dy ushtarë dhe vrapim në shtigje të gjata, për meshkuj dhe femra, ku FSK-në, po e përfaqësojnë dy ushtarë dhe dy ushtare.