FSK-ja filloi montimin e urës mbi Drinin e Bardhë
Gjakovë, 17 qershor - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), Agim Çeku vizitoi nga afër sot Batalionin e Xhenios të FSK-së të cilët filluan punimet në ndërtimin e urës së metaltë mbi lumin Drini i Bardhë në Kramovik, që ndanë dy komunat; Gjakovë dhe Rahovec.
Ministri Agim Çeku u shpreh se ndërtimi i urës nga Njësiti i Xhenios i FSK-së, do të largoj rrezikun me të cilin përballen qytetarët dhe udhëtarët me rastin e qarkullimit nëpërmjet urës së dëmtuar.
Pjesëtarët e FSK-së, tha ministri Çeku janë të përkushtuar që me ndërtimin e urës, përkatësish montimin e saj pikërisht këtu ku është edhe ura e dëmtuar, të kontribuojnë që së paku deri në ndërtimin e një të reje, eventualisht sanimin e problemeve të urës së vjetër, të kontribuojnë që komunikacioni në këtë pjesë të vendit të zhvillohet normalisht.
Në Kramovik, po ashtu ishte edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Gjakovës, Pal Lekaj, i cili falënderoj FSK-në për angazhimin dhe kontributin që me mjetet e tyre të kontribuojnë që qytetarët e kësaj ane ti shmangen rrezikut që kanoset nga lëvizja nëpërmjet urës së dëmtuar, dhe të njëjtëve iu mundësohet lëvizja nëpër urën e metaltë të FSK-së dhe që do të montohet nga pjesëtarët e FSK-së.
Në lokacionin ku ishte stacionuar Njësi të Xhenios të FSK-së, ishin edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Rrahman Rama, komandanti i Brigadës për Mbështetje Operacionale të FSK-së, kolonel Ilaz Dërguti.
Njësiti i Xhenios i FSK-së që nga sot dhe 15 ditë në vazhdim do të punoj çdo ditë për të instaluar urën e cila është e gjatë 52 metra dhe peshon 75 tonelata.
Ndërsa kjo urë ka kapacitet që të përballoj 30 ton peshë. Kjo urë montazh ka qenë donacion i KFOR-it për FSK-në, dhe pjesëtarët e Batalionit të Xhenios kanë vijuar edhe trajnime për montimin e saj.
Xhenio e FSK-së ka angazhuar në këtë projekt për ditën e sotme 45 pjesëtarë, ndërsa që nga dita e nesërme do të angazhohen çdo ditë nga 25 pjesëtarë dhe me këtë potencial deri me përfundimin e projektit.