04 Maj 2024

FSK-ja e gatshme të kontribuojë në regjion

Prishtinë, 11 dhjetor - Ministri i FSK-së, Agim Çeku  ka deklaruar se FSK-ja është e gatshme të kontribuojë në regjion, ndërsa theksoi se në rastet e katastrofave natyrore mirëpret ndihmën dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit. Ai kështu ka deklaruar në konferencën Rajonale për Ngritjen e Kapaciteteve Regjionale për Menaxhimin e Situatave Emergjente e cila i ka përfunduar sot punimet.

Në emër të Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçit, punimet dhe pjesëmarrësit e konferencës i përshëndeti, zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, i cili tha se Qeveria e Kosovës do t’i marrë seriozisht rekomandimet që dalin nga kjo konferencë dhe se ky bashkëpunim do të shërbej si shembull i mirë në procesin e integrimeve euroatlantike.                                                                     

 Ndërsa, në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konferencën e ka përshëndet, zv. ambasadorja Kelly Degnan e cila tha se: “Kjo konferencë është hapi i parë drejt zhvillimit të qasjes regjionale për t’u përgatitë dhe për të qenë në gjendje që të përgjigjeni së bashku me sektorin e sigurisë në zhvillim të kapaciteteve emergjente”.                                                             

Në emër të EUCOM-it, punimet e konferencës i ka mbështetur edhe Brian  Kreitlow, i cili hodhi idenë për zgjerimin e fushëveprimit për menaxhimin e situatave emergjente. “Ne e përkrahim përgjigjen ndaj krizave, por do të dëshironim që të keni kapacitete të ndërtuara regjionale. Duhet të shikohet fushëveprimi në mënyrë që të përfshihen të gjitha shtetet regjionale si Bosnja dhe Mali i Zi në baza të rregullta veprimi”, tha Kreitlow.      

Ministri i FSK-së Agim Çeku, tha: “Ne, në këtë konferencë i ftuam të gjitha vendet e rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative dhe me synim të qartë të arrihet një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë në emergjenca: Qëllimi i kësaj qasjeje rajonale është inkorporimi i konceptit “Mbrojtja e zgjuar civile”, parim themelor i të cilit është, me investime më të vogla, të fitohet më shumë. Ajo nënkupton se do të shmangen dyfishimet e forcave dhe burimeve (resurseve) në rajon me krijimin e qendrave rajonale. Ministri i FSK-së Agim Çeku pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka shtuar se një ndër objektivat e Kosovës në përgjithësi dhe të FSK-së në veçanti, është bashkëpunimi rajonal në të gjitha fushat.                                                            

Sot jemi mbledhur përfaqësues të Ministrive të Punëve të Brendshme dhe Ministrive të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë si dhe Republikës së Kosovës, për të iniciuar një projekt rajonal për ndihmë në menaxhimin e Emergjencave.

Në kushtet aktuale ekonomike kur çdo vend ka prioritetet më të larta, asnjë vend vetëm nuk mund ti përballoj dhe t’i zhvilloj të gjitha kapacitetet, aftësitë si dhe forcat e nevojshme për situatat emergjente. Por është e nevojshme që me një marrëveshje, të zhvillohen ato kapacitete të cilat mund t’i jepen në dispozicion edhe vendeve tjera.


I tërë ky projekt është duke u zhvilluar edhe me përkrahjen dhe ndihmën e Komandës së Ushtrisë Amerikane të Evropës, duke u nisur nga shembulli i marrëveshjes që kanë Gardat Kombëtare të Shteteve të ndryshme në mes veti, brenda SHBA-ve. Si pjesë e këtij projekti ne me mbështetjen e SHBA-ve jemi duke ndërtuar njësitin rajonal të ekselencës për Kërkim Shpëtim (KSH)  e cila do ta ketë njësitin rajonal të KSH-së dhe qendrën rajonale të trajnimit për KSH. Me këtë rast ministri Çeku falënderoi ndihmën e pa kursyer që po japin SHBA-të  në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me Gardën Kombëtare të Ajovës.    

Kuptohet se reaguesit e parë në ballafaqimin me situatat e jashtëzakonshme janë agjensionet për menaxhimin e emergjencave, dhe vetëm në rast pamundësie të menaxhimit të situatave kërkohet ndihma e ushtrive. Dhe kjo është arsyeja e prezencës së Ministrave të Mbrojtjes, për të dëshmuar gatishmërinë për asistencë ushtarake.                                                                                                            

Më pastaj u nënshkruar marrëveshja trepalëshe, në mes të delegacioneve të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.                                                                                                                                     Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i FSK-së, Agim Çeku deklaroi se FSK-ja është e gatshme të kontribuojë në regjion, ndërsa theksoi se në rastet e katastrofave natyrore mirëpret ndihmën dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit.

Në Konferencën për media ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami pasi përshëndeti Komandën Amerikane, në Evropë, për mbështetjen që po jep, theksoi se, nuk ka munguar deri tash vullneti, por kanë munguar veprimet, ky është një akt shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit konkret.

Shembulli i vendeve tona përpos bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në çdo fushë edhe ato të veprimeve tona midis ministrive tona të mbrojtjes, është një shembull shumë i mirë edhe për vende të tjera të rajonit, përfshirë Malin e Zi, Bosnjën,  Kroacinë, pse jo edhe Serbinë në kuadër të A5, për bashkëpunimi rajonal. Në fund, ministri Imami, tha se më e rëndësishme është se ne, sot, tre vendet tona, vendosëm që të marrim një hap konkret përpara, që do t’i vlejnë në radhë të parë qytetarëve në raste të krizave dhe fatkeqësive natyrore.                              

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi tha se kjo Konferencë është më rëndësi sepse bashkëpunimi i deritashëm në fushën  e Mbrojtjes dhe Sigurisë, sot, po merr edhe një vlerë shtesë, gjegjësisht iniciativat për një qasje të përbashkët në kuadër të emergjencave natyrore, në këtë fushë është pak, që këto fenomene faktori njeri nuk mund t’i kontrollon, atë çka mund të kontrollojmë ne, mund t’i menaxhojmë veprimet tona, me qëllim që t’i minimizojmë humbjet, dëmet dhe në këtë drejtim bashkëpunimi tani më nuk është në pyetje. Modelet që këtu u prezantuan janë më të provuara në botë, si shembulli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe jo rastësisht vie përkrahja e Komandës së SHBA-së, si partner strategjik për të gjitha vendet e rajonit.

Në këtë konferencë, morën pjesë: ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, Fatmir Besimi, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës Bajram Rexhepi, Fadil Kodra drejtor i departamentit për Menaxhimin e Emergjencave, zv. Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Ferdinand Poni, Alfred Olli, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave  Civile të Shqipërisë, Zulfi Adili drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit  të Krizave të Republikës së Maqedonisë. Në konferencë mori pjesë edhe zv. ambasadorja e SHBA-ve, Kelly Degnan, atashetë ushtarak të akredituar në Prishtinë, zv. ministri i FSK-së Bejtush Gashi, Gjeneralët e FSK-së, Zymer Halimi dhe Imri Ilazi, përfaqësues të USAID-it, EUCOM-it, dhe përfaqësues tjerë të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)