FSK-ja demonstroi profesionalizëm në Ushtrimin Fushor Shqiponja 2
Presidentja Jahjaga është pritur në kazermën Ushtarët e NATO-së në Istog, nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ku më pas Shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, kolonel Naim Haziri, e njoftoi Presidenten dhe mysafirët e lartë me skenarin dhe objektivat e Ushtrimit fushor Shqiponja 2.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pasi përcolli ushtrimin, në disa pika: të MKAB (Mbrojtja Kimike Atomike Biologjike), kërkim-shpëtimit, deminim dhe mbrojtja e konvojit. Me këtë rast, Presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga i përgëzoi drejtuesit e FSK-së, oficerët dhe ushtarët, për angazhimin e tyre, në realizimin e ushtrimit fushor Shqiponja 2 për disa ditë me radhë. presidentja Jahjaga, me këtë rast, tha se:
FSK-ja, dha një dëshmi të qartë për nivelin e profesionalizmit dhe të përgatitjes profesionale, që ka arritur deri tash.
Ajo po ashtu ka falënderuar Gardën Kombëtare të Ajovës, të SHBA-s, pjesëtarët e ushtrisë amerikane dhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilët kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë në mënyrë të vazhdueshme avancimin dhe përgatitjen profesionale të FSK-së.
Në emër të Ministrisë për FSK-në, ka përshëndetur zëvendësministri Muhamet Latifi, i cili falënderoi pjesëtarët e FSK-së, të KFOR-it, dhe të Ushtrisë Amerikane, për realizimin me sukses të Ushtrimit fushor Shqiponja 2.
Ndërsa, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, fillimisht ka përshëndetur pjesëtarët e FSK-së, për realizimin e këtij ushtrimi gjithëpërfshirës, KFOR-in, për ndihmën profesionale dhe sidomos ushtrinë amerikane dhe Gardën Kombëtare të Ajovës.
Gjeneral Kastrati, me këtë rast, ka tha: Stërvitja e pjesëtarëve dhe e njësive të FSK-së, është objektiv dhe prioritet kyç i imi dhe i komandantëve në të gjitha niveleve. Ushtrimi Fushor ,,SHQIPONJA 2 është finalizim i suksesshëm i ciklit të stërvitjeve individuale dhe kolektive të FSK-së, për këtë vit.
FSK-ja realizimin e ushtrimit fushor e ka filluar më 3 tetor dhe ka vazhduar pandërprerë, ku janë angazhuar 1951 pjesëtarë me 161 automjete.
Ushtrimi u zhvillua në pjesën perëndimore të Republikës së Kosovës, kryesisht në Regjionin e Pejës dhe Prizrenit.
Qëllimi i ushtrimit fushor Shqiponja 2 ishte që të testohen aftësitë komanduese, reaguese dhe koordinuese të njësive, shtabeve dhe pjesëtarëve në operacione të planifikuara me skenar adekuat për matjen e efikasitetit të reagimit në terren.
Komandant Kastrati përgëzoj veçanërisht ushtarët, nënoficerët dhe oficerët të cilët treguan profesionalizëm, vullnet dhe disiplinë për të realizuar të gjitha objektivat e parashikuara të ushtrimit.