FSK do të ketë uniforma të reja me logon FAK
Prishtinë, 19 mars - Garda ceremoniale dhe orkestra frymore e FSK-së nuk do të dalin më me uniformat që kanë, pasi po përgatiten uniformat e reja ceremoniale.
Ministria e FSK-së që në të ardhmen pritet të jetë Forcë e Armatosur e Kosovës ka nënshkruar një tender prej 390 mijë eurosh për furnizim me uniforma solemne.
FSK gjithashtu do të ketë edhe uniforma të punës, që dallojnë nga ato të kamuflazhit që ushtarët e FSK-së bartin kur dalin në teren.
FSK-ja deri më tani nuk ka pasur uniforma unikate solemne as uniforma të punës unikate. Për këtë qëllim, ministria për FSK dhe FSK-ja ka ngritur grupin punues për dizajnimin e uniformave ceremoniale dhe të punës për pjesëtarët e FSK-së (oficerë dhe nënoficerë) që do të jenë të angazhuar të punojnë në ministri dhe pranë shtabeve, tha për gazetën Tribuna drejtori i zyrës për media Ibrahim Shala.
Sipas Shalës FSK-ja në vitin 2012 ka dizajnuar dhe prodhuar uniformën unike të terrenit (kamuflazhit), dhe tani është në proces për prodhimin dhe pajisjen e pjesëtarëve me uniforma ceremoniale dhe të punës.
Meqenëse uniformat ekzistuese kanë qenë donacion, dhe për këtë qëllim ne duam që të tri uniformat ti kemi unikate, identifikuese dhe të dallueshme nga çdo ushtri tjetër, u shpreh Shala.
/Tribuna/