FSK do të jetë një forcë e standardeve të NATO
Në takim me komandantin Miglietta, presidenti Thaçi u shpreh se KFOR-i është ndër institucionet më të respektuara në Kosovë dhe gëzon besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie e feje.
Presidenti Thaçi shprehu bindjen se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë ashtu që KFOR-i të ketë gjithnjë e më pak punë, por gjithmonë si të vetëdijshme se prezenca e NATO-s është garanci për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit.
Do të vazhdojmë të punojmë që jo vetëm NATO-ja të jetë në Kosovë, por edhe Kosova të jetë në NATO, ka thënë presidenti Thaçi.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral-Major Guglielmo Luigi Miglietta e uroi presidentin Thaçi për detyrën e re në krye të shtetit.
Ai tha se KFOR-i ka bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet e Kosovës, me qeverinë dhe me ministrinë e FSK-së.
Presidenti Thaçi u shpreh se ambiciet e Kosovës për FSK-në janë të njohura dhe se do të vazhdojë angazhimi që ajo të jetë një forcë e standardeve të NATO-s, multietnike dhe me përfaqësim të duhur gjinor.