FSK dhe Forcat e Armatosura të Zvicrës do vazhdojnë bashkëpunimin
Podgoricë, 29 tetor - Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli priti sot, në takim, në Ministri, ambasadoren e Konfederatës së Zvicrës, në Republikën e Kosovës, Krystyna Marty Lang.
Ministri Demolli fillimisht e falënderoi ambasadoren Lang për ndihmën që Qeveria e Zvicrës po jep për Kosovën dhe FSK-në, në veçanti në angazhimin e ekspertëve ushtarak të deminimit të cilët janë të angazhuar në pastrim të fushave të minuara në Kosovë.
Ministri Demolli gjithashtu falënderoj zonjën Lang edhe për kontributin e Kontigjentit të ushtrisë së Zvicrës në kuadër të KFOR-it në Kosovë si dhe me këtë rast ministri Demolli e njoftoi ambasadoren edhe për zhvillimet e përgjithshme në MFSK dhe FSK, me theks të veçantë me procesin e transformimit të FSK-së, në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Ministri i Ministrisë për FSK, zotëri Haki Demolli i shprehu ambasadores Krystyna Marty Lang, interesimin për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në të drejtën humanitare ndërkombëtare si dhe sfera tjera që kanë të bëjnë me çështjet gjinore, gjithashtu në kuadër të këtyre edhe trajnimin dhe shkollimin e kuadrove të FSK-së në shtetin e Zvicrës.
Nga ana e saj, ambasadorja zvicrane Krystyna Marty Lang shprehi kënaqësinë për pritjen që iu bë nga ministri Demolli, dhe për bashkëpunimin e deritashëm në mes dy shteteve, posaçërisht në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Zvicrës. Ambasadorja Lang në fund u shpreh se ky bashkëpunim do vazhdojë edhe në të ardhmen në mes dy shteteve mike dhe në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Zvicrës.