FSK, 130 aplikant nga komunitetet, prej tyre 30 serbë
Mitrovicë, 5 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të premten në takim zëvendësministrin e FSK-së, Behxhet Brajshori, me të cilin ka biseduar për procesin e rekrutimit të kandidatëve për FSK.
Zëvendësministri i FSK-së, Behxhet Brajshori, tha se procesi i rekrutimit është duke ecur mirë dhe interesimi është shumë i madh. Ka shumë interesim dhe ne jemi shumë të kënaqur në këtë drejtim, tha ai.
Ai tha se ajo që gëzon është edhe interesimi i pjesëtarëve të komuniteteve në gjithë vendin. Deri me tani janë rreth 130 persona që kanë aplikuar për të qenë pjesë e FSK-së nga radhët e minoriteteve, prej tyre 30 serbë, tha ai, duke sqaruar se ka edhe nga pjesa veriore e Kosovës.
Brajshori theksoi se në këtë fazë të rekrutimit, që do të zgjas deri me 12 mars të këtij viti, në përgjithësi janë tërhequr rreth 9 mijë aplikacione, ndërsa që janë dorëzuar 5 mijë sosh.
Kurse sa i përket ecurisë së rekrutimit në veri, ai tha se atje sikur në gjithë Kosovën janë duke punuar ekipe mobile. Ne i ftojmë të gjithë pa dallim të përkatësisë etnike dhe gjinore që të konkurrojnë për të qenë pjesë e FSK-së, kësaj force profesionale të Kosovës.
Në anën tjetër, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka shprehur gatishmërinë që të ndihmoj për informimin e qytetarëve sa i përket procesit të rekrutimit në FSK. Mitrovica ka gjendje specifike andaj në këtë drejtim duhet që të ndihmojnë të gjithë.