Francesco Florit pranon takimet me ndërmjetësuesit
Prishtinë, 12 nëntor - Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit, e ka pranuar se Ejup Kamberi i kishte ofruar ryshfet, shkruan sot Koha Ditore.
Florit, gjyqtar shumëvjeçar i UNMIK-ut dhe më vonë i EULEX-it, e ka pranuar se me Kamberin takoheshin të paktën një herë në muaj dhe se bisedat nuk zgjasnin më shumë se pesë minuta.
Në një deklaratë të shkurtër që Florit ia kishte dhënë prokurores Maria Bamieh që mban datën 28 qershor 2012, ai i kishte sqaruar raportet me Kamberin, i cili bazuar në përgjimet telefonike të hetimeve në rastin Ilir Tolaj kishte rënë në përgjim në cilësi të ndërmjetësuesit për të mbyllur raste penale në këmbim të ryshfetit.
Posa kishte rënë në përgjim të Task Forcës kundër korrupsionit dhe raporti i kishte shkuar prokurores Maria Bamieh, ajo e kishte thirrur Floritin për të dhënë deklaratë për këtë.
/Koha Ditore/