Franca e shpall sërish Kosovën vend të sigurt
Paris, 10 tetor - Kosova shpallet sërish nga Franca si vend i sigurt. Agjencia franceze e lajmeve, AFP, deklaron se njoftimi u dha të premten nga Këshilli i Zyrës për Mbrojtjen e Refugjatëve.
Për vendet që gjenden në këtë listë, autoritetet franceze marrin parasysh se, njerëzit nuk kanë asnjë kërcënim, apo nuk iu nënshtrohet asnjë torture në atdheun e tyre. Për këtë arsye shanset e njerëzve nga këto vende që të fitojnë azilin në Francë nuk ekzistojnë.
Në dhjetor të vitit 2014, Këshilli Shtetëror i Francës si Gjykata më e Lartë Administrative e vendit e hoqi Kosovën nga lista e vendeve të sigurta, me arsyen e situatës jo stabël politike dhe sociale.
Gjatë vitit 2014 në Francë pati një fluks të madh të refugjatëve nga Kosova, çështja e strehimit dhe trajtimit të cilëve u bë problem serioz për autoritetet kompetente.