Franca e gatshme që të ndihmoj sistemin gjyqësor të Kosovës
Prishtinë, 9 Mars Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim një delegacion nga Këshilli Shtetëror i Francës, të kryesuar nga Kryetarja e Seksionit për Raportim dhe Studime, znj. Maryvonne de Saint Pulgent, dhe Këshilltari për Marrëdhënie Ndërkombëtare z. Yves Gounin.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi fillimisht njoftoi delegacionin francez për zhvillimet në sistemin Kushtetues në Kosovë, konsolidimin e kornizës ligjore, pavarësinë dhe funksionimin e sistemit gjyqësor dhe koordinimin me Gjykatën Kushtetuese, si organi qendror për inerrpetimin e Kushtetutës dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
Kuçi potencoi rëndësinë e punës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe kontributin e jurisprudencës së Gjykatës në sistemin kushtetues të Kosovës. Ai gjithashtu njoftoi delegacionin francez për procesin e dialogut me Serbinë, marrëveshjen e arritur si dhe procesin dhe rëndësinë e integrimit të veriut në sistemin gjyqësorë të Kosovës.
Znj. Maryvonne de Saint Pulgent, në anën tjetër, shprehu gatishmërinë e Francës dhe Këshillit të Lartë Shtetërorë, për të rritur bashkëpunimin si dhe për të ndihmuar më tutje sistemin gjyqësor dhe kushtetues, përmes ofrimit të trajnimeve për stafin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës.
Palët gjithashtu diskutuan edhe për qasjen e Kosovës ndaj Këshillit të Evropës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për rëndësinë e aplikimit dhe zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut.
Ndër tjera, Ministri Kuçi i njoftoi ata me punën që kanë bërë institucionet e Kosovës në qasjen unilaterale, përkatësisht aplikimin standardeve të Këshillit të Evropës dhe inkuadrimin në legjislacionin pozitiv të Kosovës si dhe respektimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.
Njëkohësisht, u diskutua edhe për rëndësinë e çështjeve civile dhe administrative gjyqësorë, si çështje që prekin interesat e qytetarëve, dhe domosdoshmërinë e forcimit të sistemit gjyqësorë administrativ.