Fqinjët e njoftojnë për djegien e lokalit
Prizren, 27 korrik - Policia e Kosovës në Prizren njofton për një incident zjarri në një lokal në fshatin Nebrogosht.
Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë në rajonin e Prizrenit bën të ditur se rreth orës shtatë të mëngjesit viktima ishte informuar nga fqinjët se në lokalin tregtar ushqimor ICOLI në këtë fshat kishte shpërthyer zjarri.
Ndihmesë në shuarjen e zjarrit kanë dhënë fqinjët dhe familjarët. Janë djegur katër frigoriferë dhe inventari. Po ashtu janë dëmtuar edhe gjërat ushqimore nga tymi e flaka, thotë Berisha.
Ndryshe, vlera e dëmit vlerësohet rreth 8000 euro. Hetuesit policorë në bashkëpunim me ekspertin për hetimin e shkaqeve të zjarrit po punojnë për zbardhje e rastit.