Forumi i Gruas i LDK-së dënon dhunën e Vetëvendosjes
Prishtinë, 29 qershor - Forumi i Gruas i LDK-së dënon dhunën e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe korit diplomatik në Kosovë, e cila u manifestua më 27 qershor 2013 pranë Kuvendi të Rerpublikës së Kosovës.
Në veçanti, FGLDK shpreh indinjatën e vet dhe dënon dhunën e ushtruar nga këta aktivistë ndaj ambasadores amerikane Znj. Tracey Ann Jacobson.
Populli shqiptar gjithmonë ka pasur dhe ka traditë të mikpritjes shqiptare dhe në asnjë rast nuk ka përdorë dhunë ndaj miqve e sidomos ndaj femrës.
Qytetarët e Kosovës e kanë të freskët kujtesën për ndihmën e madhe të miqve amerikanë, që na bënë në kohë të vështira dhe që po e bëjnë në vazhdimësi, prandaj duhet ti respektojmë dhe ti nderojmë ata.
Ky akt i shëmtuar që ndodhi në Prishtinë, ku janë zhvilluar protesta nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të dënohet nga të gjithë, sepse pengesat dhe dhuna e ushtruar nuk është mjet demokratik dhe ia zbeh imazhin Kosovës.
Secili qytetar apo subjekt ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë pakënaqësinë e vet, por nuk lejohet ta përdorë dhunën në emër të kundërshtimit, për të penguar lirinë e lëvizjes dhe të veprimit të personave zyrtarë dhe diplomatëve të akredituar në Kosovë.