Forcës së Sigurisë së Kosovës i shtohen edhe 17 oficerë të rinj të karrierës
Prishtinë, 1 korrik - Në ceremoni të veçantë, sot në Kazermën “Adem Jashari”, pas katër vite studime akademike, diplomoi Gjenerata 2022 e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare “Wesley Clark” e Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së.
Në ceremoni të diplomimit, morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, personalitete institucionale, politike, diplomatike, e ushtarake vendore dhe ndërkombëtare, ushtarakë e zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar.
Me këtë rast, para të pranishmëve, fjalim mbajti Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili vlerësoi lartë këtë të arritur, jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, por edhe për gjithë qytetarët e vendit, shtetin dhe institucionet e saj.
Ai porositi oficerët e rinj që të gjitha njohuritë akademike dhe shkathtësitë profesionale të fituara t’i orientojnë në shërbim të forcës për të avancuar edhe më shumë dedikimin e shenjtë për mbrojtjen e vendit, respektivisht lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të tij. Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha këto duke u udhëhequr nga vlerat më të larta të ushtarakut, dhe duke kujtuar gjithmonë të kaluarën tonë të lavdishme dhe bartësit e saj brez pas brezi.
Në kuadër të programit, përveç ndarjes së diplomave, u publikuan edhe emrat e instruktorit dhe kadetit më të dalluar. Kadeti më i dalluar për Klasën 2022, u shpall kadet Korab Seferi, kurse instruktori më i dalluar, u shpall Toger Premtim Shaqiri, të cilët pranuan medaljet nga Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari.