Forcat speciale dhe KFOR-i hyjnë në veri
Prishtinë, 24 gusht - Rreth 40 automjete të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë hyrë sot në veri të vendit në drejtim të dy pikave kufitare, përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjak.
Burime të Kosovapress-it thonë se bëhet fjalë për një aksion të policisë për të arrestuar të dyshuarit për vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi, por edhe për djegien e pikës kufitare të Jarinjës.
Bashkë me automjetet e Policisë së Kosovës janë parë edhe forca të shumta të KFOR-it të cilat kanë shkuar në mëngjes në drejtim të pikës kufitare Jarinje, pohojnë burimet.
Sipas të njëjtave burime, serbët tashmë janë duke u organizuar për kthimin e barrikadave në pika të ndryshme, ndërkohë që situata në veri po tensionohet.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, toger Besim Hoti ka thënë për Kosovapress se Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë nuk është në dijeni për një aksion të tillë.