17 Janar 2025

Forcat e Maqedonisë interesohen për Qendrën e Trajnimit të FSK-së

Prishtinë, 14 dhjetor - Drejtori i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), gjeneral brigade Zymer Halimi, ka pritur sot në takim, në mjediset e Ministrisë,  një delegacion nga Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë (FARM), në krye me gjeneral brigade Azim Nuredini, shef i Shtabit të Komandës së Bashkuar të Operacioneve.

Fillimisht, gjeneral Halimi foli për marrëdhëniet dypalëshe mjaft të frytshme në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, e në veçanti  në mes dy Forcave të dy shteteve si dhe për nevojën e vazhdimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Gjithashtu, gjeneral brigade Zymer Halimi tha se, fushat e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe FARM-së kanë qenë të gjera dhe konkrete, si dhe shprehu kënaqësinë që të njëjtat, me angazhimin e të dyja palëve, të begatohen dhe të konkretizohen edhe më tutje.

Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral Halimi,  u shpreh i kënaqur me interesimin e Ushtrisë së Maqedonisë për të vizituar FSK-në, përkatësisht Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim (QTKSH), të inauguruar këtë vit, e cila siç tha ai,  mëton të jetë jo vetëm qendër trajnuese për FSK-në dhe agjencitë tjera civile të emergjencave në Kosovë, por synon  të hap dyert edhe për pjesëtarë të Forcave të Armatosura të shteteve të rajonit dhe për agjencitë  civile  për t’u trajnuar dhe stërvitur në lëmin e kërkim-shpëtimit urban, në ujëra dhe në male.

Nga ana e tij, oficeri i lartë maqedonas, gjeneral brigade Azim Nuredini tha se, qëllimi i vizitës së tyre në MFSK, FSK dhe Regjimentin e Mbrojtjes Civile (RMC) është hulumtimi dhe koordinimi i mundësive që kapacitetet e FSK-së, të investuara në Qendrën Trajnuese të Kërkim Shpëtimit, të mund të ofrohen për shërbime trajnimi dhe stërvitjeje edhe për pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë  në të ardhmen.

Gjeneral Nuredini e përgëzoi gjeneralin Halimi për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës së Trajnimit për Kërkim -Shpëtim për nevoja të FSK-së fillimisht, e  pastaj edhe për ofrimin e mundësive për trajnim të ushtrive të vendeve të rajonit.

Më tej, delegacioni i Forcave të Armatosura të Maqedonisë vazhdoi vizitën në Regjimentin e Mbrojtjes Civile të FSK-së dhe në Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim, për të parë nga afër kapacitetet trajnuese dhe stërvitore të kësaj qendre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)