Forca e Sigurisë së Kosovës pajiset me autoblinda moderne
Stamboll, 20 gusht - Republika e Kosovës po e forcon arsenalin e saj ushtarak për operacionet mbrojtëse dhe paqeruajtëse.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi Turqinë nga ku njoftoi blerjen e disa automjeteve të blinduara taktike të tipit "BMC" Vuran, që "dallohen për karakteristikat teknike dhe taktike, për mbrojtje shumë të lartë balistike, ndaj minave dhe për kapacitetin e ngarkesës për një gamë të gjerë terrenesh sfiduese dhe kushtesh klimatike," theksoi ministri Mehaj.
Mjetet Vuran "4x4" mund të integrojnë mitralozë, armë kundërajrore ose granatahedhëse dhe do të jenë të parat që përdoren jashtë Turqisë.
Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u pajisur edhe me rreth 50 autoblinda të prodhimit amerikan, disa prej të cilave kanë ardhur në vend dhe të tjera priten në vijim.
Prezantimi i tyre do të bëhet në fund të muajit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kryekomandante e ushtrisë, dhe nga kryeministri Albin Kurti.
Buxheti i FSK-së në vitin 2021 llogaritet 67 milionë euro.
Në dhjetor të 2018-ës, Kuvendi ndryshoi mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës duke i dhënë një periudhë kohore dhjetëvjeçare për transformimin në ushtri me kapacitete të plota.
Programi i transformimit parasheh tri faza dhe aktualisht vendi po shkon drejt fundit të fazës së parë me trajnimin e kuadrove dhe me ngritjen e kapaciteteve teknike.