Fletarrestimet e Serbisë ende aktive
Prishtinë, 5 shtator - Ka kaluar më shumë se një dekadë që nga përfundimi i luftës në Kosovë por për shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së ende mbetet rrezik të udhëtojnë jashtë vendit.
Ata shpesh ndalohen, madje edhe në Shqipëri, në bazë të fletarrestimeve ndërkombëtare të lëshuara kundër tyre nga qeveria e Serbisë, shkruan Zëri.
Fatin më të keq, në këto raste, e ka pasur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku. Në udhëtimet jashtë vendit, në cilësinë e personit zyrtar, jo pak herë është ndalur ose kthyer mbrapsht. Kolumbia ka qenë shumë më e ashpër në vendimin e saj ndaj Çekut pasi para dy vjetësh nuk kishte pranuar t`ua dorëzonte atë autoriteteve serbe, por ia ka ndaluar hyrjen në vend për dhjetë vjet. Çeku është ndaluar edhe herë të tjera, si në Bullgari, në Slloveni.
Po një shtet është treguar më i mirë me Çekun. Para disa javësh, qeveria e Kanadasë e ka hequr nga lista e të kërkuarve për krime lufte Çekun dhe ky mbetet një rast i izoluar, pasi shumë shtete nuk e kanë bërë këtë.