Fletarrestim për Shyqyri Haxhën

Prishtinë, 13 mars - Një shkollë e mesme në Vushtrri mban emrin e një mësuesi që pak vjet ka dhënë mësim në të.
Bahri Haxha, quhet kjo shkollë prej vitit 2010, që deri atëherë mbante emrin e Latif Berishës. Bahri Haxha është vrarë më 2 maj të vitit 1999 në një nga masakrat më të mëdha në Kosovë. 101 civilë shqiptarë ishin vrarë në fshatin Studime të Vushtrrisë në mesin e të cilëve edhe Bahri Haxha vëllai i ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqyri Haxha.
Emri i tij i nuk i është vënë shkollës për kontributin e tij si mësues, por për gjakun e derdhur si dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirëpo, dikush po e konteston këtë kontribut të dhënë për luftën e Kosovës nga ai. Një prokuror i EULEX-it, dyshon se statusin dëshmor ia ka dhënë Gani Imeri, ish-komandant i rrethit të Vushtrrisë. Sipas tij, orkestrues i dhënies së këtij statusi pa meritë, është vëllai i tij, Shyqyri Haxha. Ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqyri Haxha po dyshohet për dy vepra penale: krim të organizuar dhe shpërdorim të detyrës zyrtare për shkak se, sipas prokurorit, ka punësuar njerëz me direktiva të Gani Imerit. Këtë dyshohet se e ka bërë si shpërblim për Imerin, i cili ia kishte dhënë statusin e dëshmorit vëllait të Haxhës.
Koha Ditore ka siguruar urdhrin e arrestimit të lëshuar nga prokurori special i EULEX-it, Olivier Beauvallet, për Gani Imerin, Shyqyri Haxhën, Idriz Ismajlin, Sami Istrefin dhe Bajram Beqirin. Të gjithë këta, përveç Haxhës, janë arrestuar javën e kaluar.
/KD/