Filluan punimet për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër
Mitrovicë, 14 gusht - U hoqën të gjitha dilemat. Ashtu sikur që ishte paralajmëruar, të dielën në ora 10:00, filluan punimet për rivitilzimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, projekt ky i financuar nga BE-ja, realizuar sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Fillimisht kompania Jehona, e kontraktuar për largimin e barrikadës, largoi rrethojat në cepin jugor të urës, për të fillua më pastaj punën ekskavatorët dhe kamionët për largimin e pishave të mbjella dhe dheut të vendosur nga serbët në cepin verior të urës.
Fillimin e punëve e përcolli nga afër kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ndërsa që qindra qytetarë dhe një numër i madh i medieve ndodheshin aty për tu bindur në fillimin e punëve për rivitalizimin e urës. Fillimi i punëve u mirëprit nga qytetarët dhe me këtë rast nuk pati as më të voglin problem.
Kryetari Bahtiri u shpreh të jetë i lumtur për fillimin e punëve për rivitalizimit e urës, duke e quajtur ditën e sotme si një ditë të mirë për qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit të Mitrovicës.
Sot është një ditë e mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Siç po shihni, erdhi radha që barrikada të largohet, sepse ura nuk është vend i barrikadave, por shërben për ofrimin e njerëzve. Menjëherë pas largimit të barrikadës dhe pastrimit të urës, do të filloj rivitalizimi i gjithë urës, për të bërë të mundshëm bashkimin e qytetit dhe të qytetarëve, që ata të lëvizin e qarkullojnë lirshëm, bashkë me automjetet dhe mallrat e tyre. Dhe kjo do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm, kur është afati për kryerjen e punëve, tha ai.
Kryetari Bahtiri natyrisht se nuk harroj ti falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të veriut dhe të jugut, për të cilët tha se me sjelljet dhe maturinë e tyre kanë krijuar stabilitet në qytetin e Mitrovicës.
Natyrisht se nuk është harruar as rindërtimi i xhamisë që ka ekzistuar këtu në cepin verior të urës. Ne kemi konstatuar në Bruksel se vendi ku ka qenë xhamia është pronë e Bashkësisë Islame dhe xhamia do të fillojë së ndërtuari aty në një kohë të përshtatshme jo të largët, ka thënë Bahtiri.
Qytetarët që kishin ardhur për të përcjellë fillimin e punëve, të qetë dhe të gëzuar, uruan kryetarin e komunës, Agim Bahtiri, për siç thanë angazhimin dhe përkushtimin e tij për të liruar urën për lëvizje e qarkullim të lirë, ani pse kjo ishte në përgjegjësi të tjerëve.
Ju zoti kryetar keni kërkuar vazhdimisht nga BE-ja që ura të lirohet, andaj edhe keni merita të mëdha për këtë. Ne urojmë që punët të shkojnë mbarë dhe të mos lindin në ndërkohë probleme. Ju e keni mbështetjen tonë sepse tek ju kemi vërejtur përkushtimin serioz e të vazhdueshëm për hapjen e urës, i thanë disa qytetarë kryetarit Bahtiri.
Ndërsa kryetari Bahtiri, pasi i uroi qytetarët, tha se meritat më të mëdha për këtë që po ndodhë sot i kanë ata. Ju keni treguar maturi, syçeltësi dhe durim, gjë që kanë sjellë deri këtu. Prandaj meritat më të mëdha i keni ju për këtë, por edhe për stabilizimin e gjendjes së përgjithshme në të dyja pjesët e qytetit. Ju më keni mbështet në të gjitha aktivitetet që i kam zhvillua për të mirën tuaj dhe të qytetit. Natyrisht se meritat e veta i kanë edhe institucionet tjera të vendit dhe ato ndërkombëtare, pa të cilat kjo ngjarje e stome nuk do të ndodhte, ju tha qytetarëve kryetari Bahtiri.