Fillon trajnimi: Komanda dhe stafi policor
Vushtrri, 30 gusht Sot, në kuadër të trajnimeve të shumta që po mbahen në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) në Vushtrri filloi trajnimi Komanda dhe stafi policor.
Në ceremoninë e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, përfaqësuesit e Universitetit Northerwestern, pastaj u.d. i Drejtorit të Policisë së Kosovës, z. Behar Selimi, kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Sheremet Ahmeti, si dhe përfaqësues të ICITAP-it.
Këtë trajnim përveç Policisë së Kosovës, do ta ndjekin edhe oficerë të Policisë së Republikës së Shqipërisë dhe Policisë së Republikës së Maqedonisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pasi u dëshiroi mirëseardhje, theksoi se prania juaj në këtë kurs është dëshmi se Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim po avancohet si institucion me shtrirje rajonale. Trajnimi i përbashkët i oficerëve policorë nga vendet e rajonit do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit me qëllim të sigurimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Në vazhdim ministri Rexhepi shtoi se janë dy gjëra që i bashkon vendet e rajonit; natyra e njëjtë e problemeve dhe qëllimi i përbashkët për tu integruar në institucionet euro-atlantike. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po vazhdon me zhvillimin e politikave strategjike për Policinë e Kosovës. Të gjitha raportet e mekanizmave ndërkombëtarë e vlerësojnë lartë progresin e arritur në Policinë e Kosovës si polici demokratike, shumëetnike dhe e ndërtuar sipas vlerave dhe praktikave më të avancuara ndërkombëtare.
Ministri Rexhepi e falënderoi Qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme që po i bënë Kosovës në demokratizimin dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të saj.
Organizimin e këtij trajnimi e vlerësoi lartë edhe u.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Behar Selimi. Ai tha se ndjekja e këtij kursi, do tu ndihmojë kursantëve që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë sa më profesionale. Ky program u jep mundësi që ta realizoni sa më mirë rolin e udhëheqësit, theksoi ndër të tjera z. Behar Selimi.
Në këtë trajnim po marrin pjesë 35 oficerë të policisë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ndërsa trajnimi është projekt i ICITAP-it, që po organizohet nga Universiteti Northerwesterndhe ka për qëllim aftësimin e stafit komandues të Policisë së Kosovës në menaxhimin e punës së tyre.